NOCIONET
Përkufizimi i nocioneve për disa prej kuptimeve në trafikun rrugor kanë të bëjnë me :
- Rrugët dhe sipërfaqet e tyre
- Mjetet në trafikun rrugor,
- Shiritat e trafikut,
- Shtigjet,
- Llojet e mjeteve,
- Kapacitetin dhe tonazhin,
- Pjesëmarrësit në trafikun rrugor.
Me Ligjin për sigurinë e trafikut rrugor, në rrugët e vendit tonë janë definuar kuptimet e nocioneve themelore, ku njohja e këtyre kuptimeve dhe nocioneve është e nevojshme për ta kuptuar sa më mirë trafikun.

Rrugë
Çdo rrugë dhe rrugë e pakategorizuar në të cilën zhvillohet trafiku.

Autoudhë
Rrugë publike që shërben vetëm për lëvizje të mjeteve motorike, e cila është e shënuar me shenjë të posaçme të trafikut dhe e cila i ka dy shirita rrugorë të ndarë fizikisht për lëvizje nga kahe të kundërta. Shiriti rrugor duhet t’i ketë së paku dy shirita të trafikut me gjerësi së paku 3,5 metra, varësisht nga konfiguracioni i terrenit dhe me nga një shirit për ndalje emergjente në të dy anët e autoudhës, me gjerësi së paku 2,5 metra.

Motoudhë
Rrugë publike e paraparë vetëm për lëvizje të automjeteve, e cila është e shënuar si e tillë me shenjë përkatëse të trafikut.

Rrugë e shpejtë
Rrugë publike e destinuar për trafik të mjeteve motorike, me një ose me dy shirita rrugor të ndara, të gjitha kryqëzimet i ka mbi dy ose më tepër nivele me rrugët tërthore dhe binaret e trenit ose të tramvajit, me rregull nuk ka shirit të ndaljes emergjente dhe si e tillë është e shënuar me shenjë të trafikut.

Rrugë ndërkombëtare
Rrugë publike që me akt ndërkombëtar, është klasifikuar në rrjetin e rrugëve ndërkombëtare.

Rrugë magjistrale (nacionale)
Rrugë publike zyrtarisht e kategorizuar si një rrugë magjistrale, që lidh dy e më tepër qytete të mëdha dhe të cilat mund të shërbejnë si lidhje me shtetet fqinje.

Rrugë regjionale
Rrugë publike zyrtarisht e kategorizuar si një rrugë regjionale, që lidh dy e më tepër qytete të mëdha

Rrugë lokale
Rrugë publike zyrtarisht e kategorizuar si një rrugë lokale, që lidh hapësirat e banueshme brenda vendbanimeve të një komune.

Rrugë e paklasifikuar
Nënkupton çdo rrugë që nuk është rrugë publike, pronari i së cilës është një qytetar apo grup banorësh, dhe nuk është nën përgjegjësin e Ministrisë, por e cila jo zyrtarisht e shfrytëzuar nga këmbësorët, automjetet dhe mjeteve tjera lëvizëse që lëvizin anash në hapësirën e pashënuar.

Rrugë e pashtruar / rrugë dheu
Rrugë pa sipërfaqe të ndërtuar rrugore dhe pa shtresë rruge, e cila madje as në pikën e lidhjes me rrugën publike nuk ka sipërfaqe të ndërtuar rruge.

Rrugë qarkulluese
Pjesa e sipërfaqes rrugore që shërben në rend të parë për lëvizje të mjeteve rrugore.

Rrugë publike
Sipërfaqja me rëndësi të përgjithshme për trafikun, në të cilën mund të lëvizë çdo kush me kushte të caktuara me ligj dhe të cilën organi kompetent e ka shpall rrugë publike.

Shirit rrugor
Pjesa gjatësore e rrugës qarkulluese që shërben për lëvizje të mjeteve rrugore në një kah me një apo me më shumë shirita të trafikut.

Shirit i trafikut
Sipërfaqja e paraparë për qarkullim, gjerësia e së cilës është e mjaftueshme për zhvillim normal të trafikut të një rendi mjetesh rrugore.

Shirit i trafikut për mjete të ngadalshme
Pjesa gjatësore e shënuar, që shërben për mjete të rënda dhe për mjete të tjera, të cilat me lëvizje të ngadalshme e zvogëlojnë rrjedhën e trafikut.

Shirit i trafikut për ndalje të detyrueshme
Pjesa gjatësore e shënuar në autoudhë, në vende të caktuara në rrugët e një rangu më të lartë, si: në tunele, në galeri apo të ngjashme.

Shirit i trafikut për nxitim
Pjesa e rrugës qarkulluese që shërben për hyrje të mjeteve në rrjedhën e trafikut nga një rrugë dytësore, përkatësisht nga rrugë të tjera hyrëse, si: nga pompat e derivateve, nga vendet e caktuara për parkim, si dhe nga objekte të tjera pranë rrugës.

Shirit i trafikut për ngadalësim
Pjesa e rrugës qarkulluese që shërben për dalje të mjeteve nga rrjedha e trafikut në rrugë.

Shirit i trafikut anësor
Pjesa e rrugës qarkulluese në rrugët nacionale ku shiritat rrugorë janë të ndarë fizikisht, që shërben për lëvizje të mjeteve pa motor dhe të mjeteve të ngadalshme me veprim motorik, si: traktori, makinat e punës, motokultivatori apo të ngjashme.

Shirit i biçikletave
Pjesa e rrugës që shërben për lëvizje të biçikletave dhe të mopedëve, e cila shtrihet përgjatë rrugës qarkulluese që është e shënuar me vijë gjatësore në rrugën qarkulluese.

Shteg i biçikletave
Sipërfaqja e trafikut e ndërtuar posaçërisht për lëvizje të biçikletave dhe të mopedëve që shtrihet përgjatë rrugës qarkulluese, që është e ndarë nga rruga dhe që është e shënuar me shenjë të caktuar të trafikut.

Vendkalim për biçikleta
Pjesa e sipërfaqes së rrugës qarkulluese që shërben për kalim të biçikletave dhe të mjeteve të tjera që lëvizin nëpër shiritin apo shtegun e biçikletave, e cila është e shënjuar me shenja përkatëse.

Trotuar
Sipërfaqja e rregulluar pranë rrugës posaçërisht për lëvizje të këmbësorëve, e cila nuk është në nivel me rrugën qarkulluese ose është e ndarë në mënyrë tjetër nga rruga.

Vendkalim për këmbësorë
Pjesa e sipërfaqes së rrugës qarkulluese që shërben për kalim të këmbësorëve nëpër këtë shtresë, e cila është shënjuar me shenja përkatëse.

Ishull i këmbësorëve
Sipërfaqe e ngritur ose e shënuar në një mënyrë tjetër, e cila gjendet në rrugën qarkulluese dhe e cila është caktuar për qëndrim të përkohshëm të këmbësorëve të cilët kalojnë nëpër rrugën për hyrje ose dalje nga mjeti që kryen transport publik.

Zonë e këmbësorëve
Sipërfaqe e ndërtuar e trafikut që shërben në rend të parë për lëvizje të këmbësorëve, në të cilën iu ndalohet lëvizja mjeteve me veprim motorik, përveç atyre me leje të veçantë.

Zonë e Forcës së Sigurisë së Kosovës
Sipërfaqe apo gjatësi rruge afër kazermave të FSK-së, ku ndalohet ndalja e mjeteve pa leje speciale apo pa autorizim të veçantë.

Zonë e banuar ( Vendbanim )
Hapësira në të cilën rreshtat ose bashkësitë e ndërtesave gjenden në një anë apo në të dy anët e rrugës, duke dhënë pamjen e një rruge dhe kufijtë e së cilës janë të shënuar me shenja të trafikut të shënimit të vendeve të banuara.

Zonë e trafikut të qetë
Zonë në një qendër të banuar, e shënuar me shenjë përkatëse të trafikut, në të cilën mjetet nuk duhet të lëvizin me shpejtësi më të madhe se lëvizja e këmbësorit dhe në të cilën lojërat për fëmijë janë të lejuara në tërë zonën.

Zonë urbane
Vetëm territori i qytetit apo qytezës, në të cilin hyrjet dhe daljet duhet të jenë të shënuara me shenja përkatëse të trafikut.

Zonë e shkollës
Pjesa e rrugës apo rrugë lagjeje, e cila gjendet në afërsi të shkollës dhe e cila duhet të jetë e shënuar me shenjë të posaçme të trafikut.

Kryqëzim
Çdo kryqëzim, bashkëngjitje apo ndarje e rrugëve në të njëjtin nivel.

Kthim gjysmërrethor
Kthim i mjetit për njëqind e tetëdhjetë (180) shkallë nga kahu i deritashëm i lëvizjes me qëllim të ndërrimit të kahut të lëvizjes.

Vendndalim i autobusit
Pjesa e një sipërfaqeje të rrugës që shërben për ndalje të autobusëve me qëllim që të hyjnë dhe të dalin udhëtarët dhe që është e shënuar me shenjë përkatëse të trafikut.

Vendkalim hekurudhor
Pjesa e rrugës e cila kalon përtej binarëve hekurudhorë ose të tramvajit në të njëjtin nivel, e cila mund të jetë e siguruar fizikisht me mbrojtëse dhe gjysmë mbrojtëse, me shenja të trafikut apo e pasiguruar.

Mjet rrugor
Çdo mjet transporti që lëviz nëpër rrugë, përveç karrocave lëvizëse pa motor për persona me aftësi të kufizuara dhe mjeteve transportuese të fëmijëve.

Mjet i zjarrfikësve
Automjet apo/dhe mjet i bashkëngjitur, që shërben për fikje të zjarrit.

Mjet special
Mjet rrugor ose mjet i bashkëngjitur, i cili shërben për kryerje të punëve dhe tek i cili kërkohet konstruksion dhe pajisje speciale.

Makinë pune
Mjet me veprim motorik, si: cilindri, kositësja, buldozeri, ngarkuesja me pirun, gërmuesi etj, që shërben për kryerje të punëve të caktuara me veglëri dhe me pajisje të veta, sipas vetive të tij konstruktive, i cili nuk mund të lëvizë me shpejtësi më të madhe se dyzet (40) km/h.
Mjet me veprim motorik
Çdo mjet që lëviz në rrugë me fuqi të motorit të vet, përveç mjeteve që lëvizin nëpë binarë dhe mjeteve për lëvizjen e të hendikepuarve.

Automjet
Çdo mjet që lëviz në rrugë me fuqi të motorit të vet, i cili sipas konstruksionit, pajisjeve, veglave e pajimeve është paraparë për transport të personave, përkatësisht të ngarkesave / mallit, për kryerje të punëve a për tërheqje të mjeteve të bashkëngjitura, përveç mjeteve që lëvizin nëpër binarë

Mjet bletarie
Automjet ose mjet i bashkëngjitur, i projektuar ose i konstruktuar vetëm për bartje të bashkësive të bletëve dhe të cilit nuk i lejohet të bartë asnjë ngarkesë tjetër.

Mjet bujqësor
Mjet me ose pa veprim motorik që përdoret për qëllime bujqësore a pyjore.

Mjet i bashkëngjitur
Mjet rrugor, i konstruktuar si rimorkio apo gjysmërimorkio, që shërben për tërheqje nga mjeti motorik.
Mjet i kombinuar
Mjet që shërben për transport të personave dhe sendeve, masa më e madhe e lejuar e të cilit nuk i kalon tremijë e pesëqind (3.500) kg.

Mjet i përdorur për qëllime speciale
Mjet i dizajnuar në mënyrë të veçantë për transportimin, e njerëzve dhe mallrave, që përdoren nga Policia e Kosovës, Forca e sigurisë së Kosovës, brigada e zjarrëfikësve, policia e burgut dhe të ngjajshme.

Mjet i vjetër
Mjet i cili është i regjistruar si objekt muzeu ose është i përfshirë në regjistrin qendror të materialeve kombëtare trashëgimore.

Mjet nyjor
Bashkësia e mjetit e cila përbëhet nga mjeti tërheqës dhe nga mjeti i bashkëngjitur, të lidhura ndërmjet vete me një mekanizëm nyjor.

Mjet për bartje të kafshëve
Mjet i cili shfrytëzohet për bartje të kafshëve.

Mjet për kampim
Automjet ose mjet i bashkëngjitur, i konstruktuar veçanërisht në atë mënyrë që në të ketë pajisje të përforcuara për mjeti, një pjesë e të cilave kur nuk nevojiten, palosen për të zënë më pak hapësirë, si: karriget me tavolinë, krevati (i cili mund të fitohet me tërheqje të karrigeve, elementet e kuzhinës dhe hapësirën për vendosje të rrobave, dhe të cilat mundësojnë përdorimin si mjet kampimi.
Mjet që lëviz ngadalë
Mjet që lëviz me ndihmën e fuqisë motorike dhe që nuk mund të zhvillojë shpejtësi më të madhe se njëzet e pesë (25 km/h).

Mjet turistik
Mjet apo mjet i bashkëngjitur për qëllime të veçanta, i konstruktuar ose i përshtatur vetëm për nevoja turistike.

Motokultivator
Mjet me veprim motorik i cili e ka vetëm një bosht të konstruktuar për tërheqje, për shtyrje a për bartje të veglave të ndërrueshme që shërbejnë për punë të ndryshme bujqësore, përkatësisht për t’i vënë në lëvizje ato vegla, apo për tërheqje të rimorkios.

Traktor bujqësor a pyjor
Mjet me veprim motorik që lëviz me rrota dhe që ka së paku dy boshte, funksioni kyç i të cilit qëndron tek fuqia tërheqëse dhe që në mënyrë të veçantë shërben për të tërhequr, për të shtyrë, për të bartur a për të operuar me mjete, me makina a me rimorkio që përdoren në bujqësi a në pylltari, ndërsa funksion dytësor e kanë shfrytëzimin e tyre për transport të personave e të mallrave në rrugë dhe për tërheqje në rrugë.

Shtojcë traktori
Veglëri e zëvendësueshme për kryerje të punëve bujqësore e të punëve të tjera, të cilat i tërheq, i shtyn ose i bart traktori.

Motoçikletë
Mjet me veprim motorik i cili e ka vetëm një bosht të konstruktuar për tërheqje, për shtyrje a për bartje të veglave të ndërrueshme që shërbejnë për punë të ndryshme bujqësore, përkatësisht për t’i vënë në lëvizje ato vegla, apo për tërheqje të rimorkios.

Moped
Mjet me dy ose me tri rrota, tek i cili pa marrë parasysh mënyrën se si vihet në lëvizje, shpejtësia e konstruksionit nuk i kalon dyzet e pesë (45) km/h, kapaciteti i punës së motorit me djegie të brendshme është deri në pesëdhjetë (50) cm3 ose me fuqi të vazhdueshme që vihet në lëvizje me elektromotor i cili nuk e kalon fuqinë katër (4) kW.

Çiklomotor
Mjet motorik me veprim motorik, me dy a tri rrotë, kapaciteti i punës së motorik i të cilit nuk është më i madh se 50cm3 dhe që në rrugë të rrafshët, nuk mund të zhvillojë shpejtësi më të madhe se 50km/h.

Katërçikletë
Mjet me veprim motorik me katër rrota, tek e cila, nëse lëviz me energji elektrike, masa e zbrazët pa bateri nuk i kalon katërqind (400) kg nëse është paraparë për transport të udhëtarëve, përkatësisht pesëqind e pesëdhjetë (550) kg nëse është e paraparë për transport të mallrave, ndërsa forca e motorit nuk i kalon pesëmbëdhjetë (15) kW.

Katërçikletë e lehtë
Mjet me veprim motorik me katër rrota tek e cila, nëse lëviz me energji elektrike, masa e zbrazët pa bateri nuk i kalon treqind e pesëdhjetë (350) kg, kapaciteti i punës së motorit me benzinë nuk është më i madh se pesëdhjetë (50) cm³, kurse fuqia më e madhe e motorit nuk i kalon katër (4) kW; nëse ka të bëjë me lloj tjetër të motorit, në rrugë të rrafshët nuk mund të zhvillojë shpejtësi më të madhe se dyzet e pesë (45) km/h.

Triçikletë
Mjet me veprim motorik me tri rrota, i vendosur në mënyrë simetrike, tek i cili vëllimi i motorit është mbi pesëdhjetë (50) cm3 dhe i cili në rrugë të rrafshët mund të zhvillojë shpejtësi më të madhe se 45 km/h.

Triçikletë e lehtë
Mjet me veprim motorik me tri rrota, i konstruktuar ashtu që shpejtësia nuk i kalon 45 km/h, pavarësisht nga mënyra e transmisionit, tek i cili vëllimi i motorit me djegie të brendshme me benzinë nuk është mbi pesëdhjetë (50)cm3 dhe fuqia më e madhe efektive e të cilit nuk i kalon katër (4) kW nëse mjeti ka motor me djegie të brendshme me lloj tjetër të karburantit ose tek i cili fuqia nominale e përhershme nuk i kalon katër (4) kW kur mjeti punon me energji elektrike.

Automjet udhëtarësh (veturë)
Mjet që shërben për transport të personave, i cili përveç ulëses së shoferit ka më së shumti tetë (8) ulëse.

Autobus
Mjet motorik që shërben për transport të udhëtarëve, dhe i cili përveç ulëses së shoferit i ka së paku edhe tetë ulëse të tjera

Autobus i shkollës
Mjet motorik që shërben për transport të fëmijëve, përkatësisht të nxënësve

Trolejbus
Mjet që shërben për transport të personave i cili përveç ulëses së shoferit ka më shumë se tetë (8) ulëse dhe i cili për t’i dhënë motorit energji elektrike është i lidhur me përçues elektrik.

Tramvaj
Mjet që lëviz mbi binarë me rrymë elektrike dhe që shërben për transport publik, i cili për t’i dhënë motorit energji elektrike është i lidhur me përçues elektrik.

Automjetet nën përcjellje
Automjetet të cilat përdorin pajisje sinjalizuese me drita të kuqe të kaltër dhe pajisje akustike me intensitet të ndryshueshëm, si dhe me automjete të zakonshme të policisë gjatë sinjalizimit kur bëjnë përcjelljen e personalitete shtetërore ose mjetet tjera të autorizuar të cilët bëjnë përcjelljen e personaliteteve.

Biçikletë
Mjet rrugor që ka së paku dy (2) rrota dhe që lëviz me fuqinë e shoferit.

Bashkësi mjetesh
Mjet me veprim motorik dhe mjetet e bashkangjitura, të cilat në trafikun rrugor marrin pjesë si tërësi.

Kamion/mjet transportues
Çdo automjet që shërben për transportim të ngarkesës.

Rimorkio
Mjet rrugor i bashkëngjitur, i konstruktuar në atë mënyrë që masën e tërësishme nëpërmjet akseve të veta ta mbartë mbi rrugën qarkulluese.

Gjysmërimorkio
Mjet i bashkëngjitur pa boshtin e përparmë, i konstruktuar në atë mënyrë që një pjesë e masës së tërësishme të saj mbartet në mjetin tërheqës nëpërmjet pjesës së vet të përparme, me anën e së cilës mbështetet në mjetin tërheqës.

Rimorkio e lehtë
Mjet i bashkëngjitur, masa më e madhe e lejuar e të cilit nuk është më e madhe se shtatëqind e pesëdhjetë (750) kg.

Qerre
Mjet rrugor që shërben për transport dhe që tërhiqet nga kafshët.

Kokë tërheqëse
Mjet transportues që shërben për tërheqje të gjysmërimorkios.

Kapacitet i mjetit (bartja)
Masa e lejuar deri në të cilin mjeti rrugor lejohet të ngarkohet, sipas deklaratës së prodhuesit të mjetit.

Masa e mjetit
Masa e mjetit të zbrazët me rezervar të plotë të karburantit si dhe me vegla e paisjet e obliguara për mjetin.

Masë e përgjithshme
Masa efektive e mjetit rrugor së bashku me masën e ngarkesës që transportohet me mjet, duke përfshirë edhe masën e personave që gjenden në mjet, si dhe masën e mjetit të bashkëngjitur me ngarkesë, në qoftë se i është shtuar mjetit tërheqës.

Masë më e madhe e lejuar
Masa më e madhe e lejuar e mjetit bashkë me ngarkesën e mjetit.
Masë e mjetit të zbrazët
Masa e mjetit të zbrazët pa ekuipazh, pa udhëtarë, pa ngarkesë, me rezervar të plotë të karburantit, si dhe me veglat e pajimet e detyruara për mjetin.

Ngarkesë boshtore
Pjesa e masës së përgjithshme të mjetit me të cilin boshti i mjetit e ngarkon sipërfaqen e rrugës kur mjeti rrugor ndodhet në gjendje të palëvizshme.

Pjesëmarrës në trafik
Person i cili në çfarëdo mënyre merr pjesë në trafikun rrugor.

Pjesëmarrës në aksident trafiku
Person i cili është i përfshirë në çfarëdo mënyre në aksident në trafikun rrugor.

Shofer
Pjesëmarrësi në trafik i cili e drejton mjetin rrugor.

Shofer fillestar
Shoferi i cili e ka marrë patentën e shoferit të kategorisë A, A1, A2 ose B, B1 qe jo më shumë se dy (2) vjet.

Shofer i ri
Shofer i moshës deri në njëzet e katër (24) vjeç, me përjashtim të shoferit i cili të drejtuarit e mjetit e ka profesion themelor.

Këmbësor
Pjesëmarrës në trafik që nuk drejton mjet rrugor, as që transportohet nga ndonjë mjet rrugor, apo person i cili me fuqinë e vet shtyn apo tërheq karrocë dore, qerre kafshësh apo ndonjë mjet me lëvizje me veprim motorik, ndonjë mjet transportues të fëmijëve, biçikletë apo karrocë lëvizëse për njerëz të paaftë, apo person me karrige lëvizëse, i cili e lëviz mjetin me fuqinë e vet ose me fuqinë e motorit nëse lëviz me shpejtësi të njeriut që ec, apo person i cili rrëshqet me patina, me ski, me sajë apo me rrotëza etj.

Kolonë e këmbësorëve
Grupi i organizuar i këmbësorëve të drejtuar nga udhëheqësi ose nga komanduesi i tyre.

Kolonë e mjeteve
Vargu i së paku tri mjeteve, përveç biçikletave, traktorëve, makinave të punës a qerreve që tërhiqen nga kafshë, mjete që janë të ndaluara në rrugë apo që lëvizin në shirit të njëjtë të trafikut në të njëjtin kah gjatë të cilit shpejtësia e lëvizjes së tyre dhe veprimi i shoferëve janë të kushtëzuara në mes vete dhe në mes të cilave mjete nuk mund të hyjë në mënyrë të papenguar mjeti tjetër.

Trafik në rrugë
Lëvizje e mjeteve, e këmbësorëve, si dhe e pjesëmarrësve të tjerë që qarkullojnë në rrugë publike apo në rrugë të pakategorizuara që shfrytëzohen për trafik publik.

Tejkalim
Kalimi me mjet pranë mjetit tjetër rrugor që lëviz në të njëjtin kah.

Përballëkalim
Kalim me mjetin rrugor pranë mjetit tjetër i cili lëviz nga kahu i kundërt nëpër të njëjtën rrugë.

Anashkalim
Kalimi me mjet pranë një mjeti tjetër të ndalur a të parkuar, ose pranë një objekti që gjendet në shiritin e trafikut nëpër të cilin lëviz mjeti rrugor.

Rrjedhë e trafikut
Lëvizje e mjeteve të cilat nëpër rrugë lëvizin në të njëjtin kah.

Ndërrim i shiritit të trafikut
Kalim me mjet prej një shiriti në shiritin tjetër të trafikut për lëvizje në të njëjtin kah, për shkak të rreshtimit ose lëvizjes më të shpejtë.

Pengim i trafikut
Veprim në trafik në kundërshtim me dispozitat e trafikut, me të cilin një pjesëmarrës e detyron pjesëmarrësin tjetër ta ndërrojë mënyrën e deriatëhershme të pjesëmarrjes në trafik.

Rrezikim i trafikut
Mënyrë e sjelljes në trafik për shkak të së cilës vjen deri te rreziku i drejtpërdrejtë për të shkaktuar aksident në trafik.

Dukshmëri e dobësuar
Rrethanë kur nuk mund të vihet re a të dallohet qartë ambienti në të cilin ndodhet pjesëmarrësi në trafik, në përgjithësi prej muzgut deri në agim, si dhe gjatë kushteve të vështira atmosferike nga agimit deri në muzg.

Fushëpamje e kufizuar
Hapësira e kufizuar të cilën pjesëmarrësi në trafik mund ta shohë nga vendi ku gjendet, për shkak të rrugës me kthesa të padukshme, me kurrize apo për shkak të ndonjë pengesë fizike, të ndonjë objekti apo të ngjashme.
Kujdes i veçantë
Kujdes i shtuar dhe përshtatje e sjelljes së pjesëmarrësit në trafikun rrugor sipas kushteve dhe situatave në rrugë.

Ndalje
Çdo ndërprerje e lëvizjes së mjetit në rrugë në kohëzgjatje deri në tre minuta, pos ndërprerjes e cila bëhet për të vepruar sipas shenjës apo rregullës me të cilat rregullohet trafiku.

Ndalje urgjente
Ndërprerje e lëvizjes kur mjeti është i papërdorshëm për shkak të avarisë ose kur duhet të ndalet për ndonjë arsye tjetër.

Parkim
Çdo ndërprerje e lëvizjes së mjetit në rrugë në kohëzgjatje më shumë se tre minuta, pos ndërprerjes e cila bëhet për të vepruar sipas shenjës apo rregullës me të cilat rregullohet trafiku.
Lëshim i mjetit
Veprim të cilin në kushte të caktuara shoferi është i obliguar ta bëjë me ndalje të mjetit, me zvogëlim të shpejtësisë së lëvizjes ose me ndërprerje të veprimit të cilin e kryen me mjet dhe në atë mënyrë nuk e detyron shoferin e mjetit tjetër që ta ndërrojë drejtimin ose të frenojë me vrull.

Aksident trafiku
Ngjarje në rrugë në të cilën merr pjesë së paku një mjet në lëvizje, në të cilin si pasojë një apo më shumë persona kanë vdekur deri tridhjetë (30) ditë pas aksidentit, ose janë lënduar, ose është shkaktuar dëm material. Aksident i trafikut nuk konsiderohet kur makina e punës, motokultivatori, traktori apo karroca gjatë kryerjes së punëve rrëshqet, rrokulliset, ndeshet me ndonjë pengesë natyrore gjatë lëvizjes nëpër rrugë të pa kategorizuar apo nëpër punishte ku nuk merr pjesë ndonjë mjet tjetër ose këmbësor dhe në këtë ngjarje personit tjetër nuk i shkaktohet dëm material.

Dëm material i vogël në aksident trafiku
Dëmi i shkaktuar në objekte dhe në mjet ku vlera maksimale e dëmit të vogël do të përcaktohet me një vendim nga organi kompetent.
Hapësirë në rrugë e caktuar për kontroll
Hapësirë e caktuar për kryerje të kontrollimit fillestar apo më të detajuar të rregullsisë teknike në rrugë, e cila mund të jetë e pajisur me pajisje të montuar në mënyrë të përhershme për testim.

Shenjat e trafikut rrugor
Sistemi i shenjave të trafikut, si: semaforët, sinjalet ndriçuese, shënimet në rrugë, pajisjet dhe pajimet e tjera për rregullim teknik dhe menaxhim të trafikut si sistem unik e të ngjashme.

Patentë shoferi
Dokument publik të cilin e lëshon organi kompetent dhe i cili dëshmon të drejtën për të drejtuar mjetin për kategorinë e caktuar.

Patentë shoferi i huaj
Patentë shoferi dhe patentë shoferi ndërkombëtar të cilin e ka lëshuar organi kompetent i atij shteti.

Patentë shoferi ndërkombëtar
Patentë shoferi ndërkombëtar të cilin e lëshon organi kompetent.
Leje e komunikacionit
Nënkupton dokumentin publik të cilin e lëshon organi kompetent dhe e cila dëshmon të drejtën e një mjetit që përcakton tabelat e regjistrimit dhe pronësinë e atyre tabelave, vetitë teknike, vetit dhe karakteristikat tjera, gjendja teknike e rregullt për të marrë pjesë në mënyrë të sigurt në trafik si dhe vlefshmërinë e tyre.

Tahografi
Nënkupton pajisjen e cila së paku siguron regjistrimin e shpejtësisë dhe rrugën e kaluar të mjetit.
Libreza e mjetit
Nënkupton dokumentin publik të cilin e lëshon organi kompetent me të cilën dëshmohet pronësia e një mjetit të caktuar, vetit teknike, vetit dhe karakteristikat tjera.

Tahografi - EURO
Nënkupton pajisjen e cila siguron dhe regjistron kohën e ngasjes së ekuipazhit të mjetit, kohën e kaluar në kryerjen e aktiviteteve profesionale të cilat nuk bëjnë pjesë në drejtim të mjetit, kohën e pushimit, shpejtësinë e lëvizjes dhe rrugën e kaluar.
Licenca e shofer-instruktorit
Nënkupton dokumentin publik të cilën e lëshon MTPT dhe i cili dëshmon të drejtën për të aftësuar kandidatin për dhënien e provimit për shofer nga lënda mësimore të drejtuarit e mjetit motorik (pjesa praktike).

Raporti evropian i aksidentit
Dokument publik i cili përdoret gjatë shkaktimit të aksidenteve në trafikun rrugor me dëme të vogla materiale, i cili lëshohet nga organi kompetent.

Person
Nënkupton personin fizik dhe juridik.

Kontraktues
Personi fizik ose juridik, i autorizuar nga Ministria apo komuna për mirëmbajtje të rrugëve, për zhvendosje të mjeteve apo për shërbime të tjera në kuadër të këtyre institucioneve.

Ministria
Ministria përkatëse për transport.

Ulëse
Struktura e cila mund të jetë pjesë e konstruksionit të automjetit dhe e cila së bashku me shtresën është e paraparë për ulje të një personi, si dhe pjesën e ulëses së sigurisë për fëmijë.

Rrip i sigurisë
Mekanizëm i cili e ka një shirit me kapëse të sigurt që lidhet me pajisje të bashkëngjitur e cila është e përforcuar në automjet. Është i konstruktuar në atë mënyrë që ta kufizojë lëvizjen e trupit në rast ngadalësimi të vrullshëm të automjetit apo në rast të një aksidenti, duke e zvogëluar rrezikun e lëndimit të përdoruesit të tij.

Sistem i mbajtjes
Sistemi i përbërë i ulëses e cila në mënyrë përkatëse është e përforcuar në konstruksion të automjetit dhe për rripi të sigurisë së paku me një kapëse në ulëse.

Agim
Drita e parë e mëngjesit para lindjes së diellit.

Muzg
Koha pas perëndimit të diellit deri në errësim.