RREGULLAT E TRAFIKUT RRUGOR

Ligji mbi bazat e sigurisë së trafikut në rrugë, i obligon të gjithë pjesëmarrësit në trafik të veprojnë në bazë të dispozitave ligjore mbi rregullat e trafikut dhe shenjat që janë vënë në rrugë.

Nëse nuk ka shenjë trafiku, veprohet sipas dispozitave ligjore mbi rregullat e trafikut, ndërsa nëse ekziston shenja e trafikut, pjesëmarrësit kanë për detyrë të sillen sipas saj, madje edhe nëse me këtë largohen nga dispozitat ligjore mbi rregullat e trafikut.

Ndërkaq, nëse trafiku në rrugë (në vendbanim ose jashtë tij) e rregullon pjesëtari i policisë apo personi tjetër i autorizuar, pjesëmarresit në trafik janë të obliguar të veprojnë sipas shenjës së tij, respektivisht sipas urdhëresës që jep ai, pa marrë parasysh faktin se ato urdhëresa ndryshojnë nga kërkesa që është bërë me shenjën e trafikut, përpos rastit nëse gjatë kësaj kohe do të vënin në rrezik të drejtpërdrejtë persona të tjerë ose do të sillnin dëm material dikujt.

RREGULLAT KRYESORE
Rruga publike

1. Rruga publike duhet të ketë hapësirë të lirë në tërë gjerësinë e vet, në lartësi prej së paku katër presje pesë (4,5) metra. 2. Në ura, tunele, galeri ose objekte të ngjashme të rrugëve publike, gjerësia e rrugës mund të mos jetë e njëjtë sikurse gjerësia e rrugës publike. 3. Vendndalimi i autobusëve për hyrje dhe dalje të udhëtarëve në rrugë publike jashtë zonës urbane në rrugët nacionale dhe rajonale duhet te jetë jashtë shiritit të trafikut. 4. Në rrugët publike dhe në brezin mbrojtës të rrugëve publike jashtë zonës urbane nuk mund të vihen mbishkrime ose reklama, në rrugët nacionale dhe rajonale në distancë më të vogël se pesë (5) metra, kurse në rrugët lokale në distancë më të vogël se tri (3) metra nga pika më e largët e profilit tërthor të rrugës. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, personi fizik i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëmijë (1000) deri në tremijë (3000) euro, edhe personi juridik ose institucioni në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi i përcaktuar në paragrafin 5. të këtij neni.

Shenjat në rrugë

1. Shenjat e trafikut janë: shenjat e rrezikut, shenjat e urdhrave të prera, shenjat e lajmërimit me ose pa tabelë plotësuese e cila përcakton më hollësisht domethënien e shenjës së trafikut, sinjalet me dritë, shenjat në sipërfaqen e rrugës, në trotuar dhe shenjat e tjera në rrugë. 2. Shenjat e rrezikut shërbejnë për t’i paralajmëruar pjesëmarrësit në trafikun rrugor për rrezikun që u kanoset në ndonjë vend të caktuar, përkatësisht në një pjesë të rrugës, si dhe të njoftohen për natyrën e këtij rreziku. 3. Shenjat e urdhrave të prera i urdhërojnë pjesëmarrësit në trafikun rrugor për ndalimet, për kufizimet dhe për obligimet të cilave duhet t’iu përmbahen. 4. Shenjat e lajmërimit u japin pjesëmarrësve në trafik njoftime të nevojshme për rrugën nëpër të cilën lëvizin dhe njoftime të tjera të cilat mund të jenë të dobishme. 5. Shenjat e lajmërimit për orientim të trafikut i lajmërojnë pjesëmarrësit në trafik mbi shtrirjen e kaheve në rrugë, mbi radhitjen e caqeve dhe mbi orientimin e trafikut në drejtim të atyre caqeve dhe atë në kryqëzime, në nyje ose nga pushimoret në vende të caktuara të rrugës.

Pajisjet dhe pajimet për shënim të rrugëve

1. Skajet e rrugës shënohen me sinjale drite dhe materie retroreflektuese, ndërsa kufizuesit e rrugës shënohen me elemente të pajisura me materie reflektuese dhe me shtylla ndriçuese. 2. Kufizuesit e rrugës të cilët janë të vendosur në rrugë nga ana e djathtë në drejtim të lëvizjes janë me ngjyrë të kuqe, ndërsa në anën e majtë me ngjyrë të bardhë. 3. Nëse kulmet e ishujve të këmbësorëve, ishujt për orientim të trafikut dhe objektet e tjera në rrugë, nuk janë të dukshme natën sa duhet, ato duhet të shënohen me drita, me materie retroreflektuese ose me materie reflektuese me ngjyrë të verdhë.

Shenjat ndriçuese të trafikut

1. Për rregullim të trafikut përdoren semaforët, të cilët emetojnë shenja ndriçuese me tri ngjyra, të vendosura vertikalisht njëra mbi tjetrën: drita e kuqe lart, drita e verdhë në mes, kurse drita e gjelbër poshtë. 2. Nëse semafori është i vendosur mbi shiritin e trafikut, drita mund të vendoset horizontalisht njëra pranë tjetrës: drita e kuqe majtas, drita e verdhë ne mes, drita e gjelbër në të djathtë. Dritat kanë formë rrethi, ndërsa drita e gjelbër mund të jetë edhe në formë shigjete ose shigjetave të vendosura në një rreth me ngjyrë të zezë. 3. Dritat në semafor e kanë këtë kuptim: 3.1. drita e kuqe, ndalim kalimi; 3.2. drita e gjelbër, kalim i lirë; 3.3. drita e verdhë e ndezur e vetme pa ndërprerje do të thotë që mjeteve nuk iu lejohet ta kalojnë vijën e ndaljes dhe të hyjnë në kryqëzim nëse në momentin e ndezjes së dritës së verdhë gjendet në atë largësi nga semafori që mund të ndalet në mënyrë të sigurt. 4. Nëse semaforit në kryqëzim i është shtuar një dritë plotësuese ose drita plotësuese në formë shigjete, gjatë kohës derisa ato drita janë të ndezura, shoferi mund të kalojë me mjet në drejtim të shigjetave edhe gjatë kohës derisa është e ndezur drita e kuqe ose e verdhë, por me kusht që t’i lëshojë mjetet të cilat lëvizin në rrugë ku ai është duke hyrë, si dhe këmbësorët të cilët e kalojnë atë rrugë. 5. Drita e gjelbër e ndezur në semafor në formë të shigjetave, shoferit me mjet i lejon lëvizje vetëm në drejtim të përcaktuar me shigjeta. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind e pesëdhjetë (150) eurosh, shoferi i cili nuk ndalet në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë. Atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muajsh, si dhe tri (3) pikë negative. Identifikimi dhe dëshmia bëhen përmes pajisjes apo aparatit përkatës, si dhe nga persona të autorizuar.

Semafori për këmbësorë

1. Për rregullimin e trafikut të këmbësorëve mund të përdoret semafori me drita dyngjyrëshe dhe pajisjet me zë. 2. Drita dyngjyrëshe e kuqe dhe e gjelbër vendosen vertikalisht njëra nën tjetrën: drita e kuqe lart, kurse drita e gjelbër poshtë dhe në to është e vendosur figura e këmbësorit: drita me ngjyrë të kuqe në pozitë të ndalur, ndërsa ngjyra e gjelbër në pozitë të lëvizjes. 3. Dritat me ngjyra nga paragrafi 2. i këtij neni nuk lejohet të ndizen njëkohësisht. 4. Këmbësori i cili nuk ndalet në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh.

Funksionimi i semaforëve

1. Në semafor dritat me ngjyrë të kuqe dhe të gjelbër nuk mund të ndizen njëkohësisht. Drita e verdhë e vetme pa ndërprerje ndizet prej kalimit të dritës së gjelbër në atë të kuqen, ndërsa njëkohësisht me të kuqen para se të ndizet drita e gjelbër. 2. Semaforit me drita tri ngjyrëshe mund t’i shtohet një shenjë plotësuese me drita në formë shigjete ose disa shenja përkatëse, të cilat vendosen në anën e caktuar të semaforit në lartësinë në të cilën ndodhet drita e gjelbër. 3. Ndryshe nga paragrafi 2. i këtij neni, shenja plotësuese në semafor në formë shigjete me ngjyrë të gjelbër për kthim majtas mund të jetë e vendosur si dritë e veçantë e trafikut për dalje nga kryqëzimi. 4. Drita me ngjyrë te gjelbër me ndërprerje paralajmëron ndërprerjen e shpejtë të kalimit të lirë, përkatësisht paraqitjen e dritës me ngjyrë të verdhë pastaj të kuqe. Ndërsa drita me ngjyrë të verdhë me ndërprerje shërben për t’i paralajmëruar pjesëmarrësit e trafikut të lëvizin me kujdes të shtuar. 5. Në rrugë me më tepër se dy shirita të trafikut të shënuar me shënime gjatësore, ku trafiku drejtohet me semafor për çdo shirit veçmas dhe të cilat janë të vendosura mbi shirita të trafikut, drita e kuqe ndalon trafikun përgjatë shiritit të trafikut mbi të cilin është e vendosur, drita e gjelbër lejon kalimin e lirë nëpër shiritin e trafikut mbi të cilën është vendosur. 6. Drita e kuqe nga paragrafi 5. i këtij neni e ka formën e “x”, ndërsa drita me ngjyrë të gjelbër e ka formën e shigjetës me maje të kthyer poshtë. 7. Shoferi i cili nuk i respekton shenjat e semaforit sipas këtij neni dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind e pesëdhjetë (150) eurosh. Atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik tre (3) muaj, si dhe tri (3) pikë negative. Identifikimi dhe dëshmia bëhet përmes pajisjes apo aparatit përkatës, si dhe nga persona të autorizuar.

Shenjat në rrugë

1. Shenjat në rrugë shërbejnë për orientim, për lajmërim dhe për drejtim të pjesëmarrësve në trafikun rrugor. 2. Shenjat në rrugë mund të vendosen vetëm ose së bashku me shenja të tjera të trafikut nëse është e nevojshme që domethënia e këtyre shenjave të dallohet qartë, përkatësisht të përcaktohet ose të sqarohet në mënyrë më të plotë. 3. Shenjat në rrugë janë: vijat, shigjetat, mbishkrimet dhe shenjat e tjera. 4. Shenjat në rrugë duhet të kenë veti reflektuese.

Vendosja e shenjave në vendkalimin hekurudhor

1. Në pjesën e rrugës para vijës hekurudhore duhet të vendosen shenjat përkatëse të trafikut. 2. Në qoftë se e kërkojnë dendësia e trafikut ose rrethana të tjera, në vendkalimet hekurudhore përveç shenjave të trafikut, vendosen edhe mbrojtëset dhe gjysmë mbrojtëset, përkatësisht pajisje për dhënien e shenjave me të cilat paralajmërohet ardhja e trenit.

Pajisjet ndriçuese dhe sinjalet me zë

1. Shenjat me drita me të cilat paralajmërohet ardhja e trenit në vendkalimin hekurudhor jepen duke u ndezur në mënyrë alternative dhe me ndërprerje dy drita të kuqe vezulluese në formë rrethi. 2. Në vendkalimet hekurudhore në të cilën ekzistojnë pajisjet për dhënien e shenjave me drita për paralajmërim të ardhjes së trenit, përkatësisht lëshimin e mbrojtëseve dhe gjysmëmbrojtëseve, këtyre pajisjeve mund t’i bashkëngjitet edhe pajisja për dhënien e sinjaleve me zë. 3. Në vendkalimet e rrugëve të pashtruara me trafik me intensitet të ulët dhe në shtigjet e këmbësorëve në nivel me vijën hekurudhore, sigurimi i pjesëmarrësve në trafik mund të bëhet vetëm me pajisje për dhënien e sinjalit me zë.

Dukja e mbrojtëseve dhe gjysmë mbrojtëseve

1. Në vendkalimet hekurudhore, mbrojtëset dhe gjysmë mbrojtëset janë të ngjyrosura në mënyrë alternative më ngjyrë të kuqe dhe të bardhë. 2. Mbrojtëset dhe gjysmë mbrojtëset, si dhe shenjat e trafikut të vendosura në pjesën e rrugës para vendkalimit hekurudhor, duhet të jenë të pajisura me materie reflektuese me ngjyrë përkatëse. 3. Mbrojtëset dhe gjysmë mbrojtëset duhet të jenë të pajisura me drita të kuqe vezulluese.

Funksionimi i mbrojtëses dhe gjysmë mbrojtëses

1. Në vendkalimin hekurudhor në të cilin me rastin e ardhjes së trenit mbrojtëset dhe gjysmë mbrojtëset lëshohen automatikisht, lëshohen nga vendi nga i cili ato nuk shihen, apo lëshohen me dorë, duhet të vendosen pajisje për dhënie të sinjalit me drita ose me zë, me anën e të cilave pjesëmarrësit në trafik njoftohen për lëshimin e mbrojtëseve dhe gjysmë mbrojtëseve.

Trafiku në vendkalim hekurudhor

1. Kur pjesëmarrësi në trafik i afrohet vendkalimit hekurudhor, respektivisht kur e kalon atë, duhet të ketë kujdes të shtuar. 2. Pjesëmarrësit në trafik janë të detyruar të ndalen para vendkalimit hekurudhor nëse pajiset për mbyllje të trafikut fillojnë të lëshohen ose janë të lëshuara, ose nëse shenjat ndriçuese a akustike paralajmërojnë fillimin e lëshimit të pajisjeve, përkatësisht paralajmërojnë se në vendkalimin hekurudhor po vjen treni. 3. Para se të kalojë mbi binarë, shoferi i mjetit duhet të sigurohet që mjeti i cili lëviz nëpër binarë nuk është duke ardhur dhe të ndërmarrë masa të veçanta të nevojshme, veçanërisht nëse dukshmëria është e vështirësuar ose rrethanave të tjera në rrugë. 4. Para vendkalimit hekurudhor shoferi i mjetit duhet të drejtojë mjetin me kujdes dhe me shpejtësi të zvogëluar, ashtu që t’i mundësojë atij ta ndalë mjetin me kohë, në rastet kur mjeti i cili lëviz nëpër binarë është afruar, ose kur mbrojtëset ose gjysmëmbrojtëset, ose sinjalizimi me dritë të kuqe dhe zëri e ndalojnë hyrjen në vendkalimin hekurudhor. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëdhjetë (50) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, secili pjesëmarrës tjetër në trafik me përjashtim të shoferit, i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Detyrimet e shoferit gjatë kalimit në vendkalim hekurudhor

1. Në vendkalim hekurudhor pa mbrojtëse dhe gjysmëmbrojtëse dhe pa sinjale me të cilat paralajmërohet ardhja e trenit, shoferi i mjetit është i obliguar që para se të kalojë nëpër binar, paraprakisht të sigurohet se në vendkalimin hekurudhor nuk kalon ndonjë mjet. 2. Shoferit i ndalohet: 2.1. të kalojë anash mbrojtëseve apo gjysmëmbrojtëseve dhe të hyjë në vendkalim hekurudhor nën rrethanat kur ulja e mbrojtëseve apo gjysmëmbrojtëseve tashmë ka filluar ose ka përfunduar, ose kur ngritja e tyre nuk ka përfunduar; 2.2. të hyjë në vendkalim hekurudhor nëse janë të ndezura sinjalet, dritat ose pajisjet akustike me të cilat paralajmërohet ardhja e mjetit në binarë; 2.3. ta kalojë mjetin gjatë kohës që është duke e pritur hapjen e gjysmë barrierave ose barrierave; 2.4. të hyjë në vendkalim hekurudhor, nëse nuk ka hapësirë të mjaftueshme të lirë në anën tjetër të kalimit për vazhdim të lëvizjes 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) deri në treqind (300 ) euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. Atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik tre (3), si dhe i shqiptohet një (1) pikë negative.

Detyrimet e shoferit në rast të bllokimit të mjetit në vendkalimin hekurudhor

1. Nëse ndodh që mjeti është bllokuar në vendkalim hekurudhor, shoferi është i detyruar që menjëherë ta largojë mjetin nga vendkalimi. Nëse kjo është e pamundshme, shoferi detyrohet ta paralajmërojë për rrezikun personin që e drejton mjetin mbi binarë. 2. Shoferi i cili e drejton mjetin ose bashkësinë e mjeteve me gjatësi që tejkalon dhjetë (10) metra dhe që nuk mund të zhvillojë shpejtësi me të madhe se gjashtë (6) km/orë, para se të hyjë nëpër vendkalim hekurudhor duhet të sigurohet se në vendkalim nuk është duke ardhur mjeti i cili lëviz nëpër binarë për aq kohë sa i nevojitet mjetit për kalim të sigurt, ose duhet të kërkojë ndihmë nga personi i cili e siguron atë vendkalim hekurudhor. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëdhjetë (50) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Lëvizja e mjeteve

1. Shoferi detyrohet ta drejtojë mjetin në anën e djathtë të kahut të lëvizjes së rrugës. 2. Për lëvizje të mjetit të vet, shoferi duhet ta shfrytëzojë vetëm rrugën, përkatësisht shiritin e trafikut dhe shtegun e caktuar për lëvizjen e atij lloji të mjeteve të cilit i takon mjeti, përveç në rast të rrezikut. 3. Në çdo rrugë të pashënuar me vija ndarëse, shoferi është i detyruar ta drejtojë mjetin sa më afër skajit të djathtë të rrugës. Nëse shiritat në rrugë janë të shënuar, shoferi duhet ta drejtojë mjetin nëpër mesin e shiritit të trafikut. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Lëvizja prapa

1. Nëse shoferi i mjetit synon të lëvizë prapa me mjetin e vet, këtë mund ta bëjë në një pjesë të shkurtër të rrugës vetëm nëse nuk i pengon ose nuk i rrezikon pjesëmarrësit e tjerë në trafik. 2. Kur shoferi lëviz prapa me mjet, ai duhet të lëvizë në atë anë të rrugës në të cilën ka lëvizur deri atëherë. 3. Kur shoferi i mjetit lëviz prapa, ai duhet t’iu japë përparësi mjeteve të cilat vijnë prapa mjetit të tij. 4. Lëvizja prapa ndalohet: 4.1. në autoudhë dhe në motoudhë; 4.2. në vendkalime hekurudhore, në vendkalime të këmbësorëve dhe në vendkalime të biçikletave;` 4.3. në kryqëzime të padukshme dhe në pjesë të rrugës me fushëpamje të kufizuar; 4.4. gjatë kohës me dukshmëri të dobësuar; 4.5. aty ku ndalohet ndalja; 4.6. aty ku pengohet dhe rrezikohet trafiku rrugor. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëdhjetë (50) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Detyrimet e shoferit gjatë drejtimit

1. Shoferi është i detyruar: 1.1.ta drejtojë mjetin me atë shpejtësi që nuk e pengon lëvizjen e mjeteve të tjera; 1.2.të mbajë distancë të nevojshme nga mjeti përpara aq sa është e nevojshme për t’iu shmangur goditjes së mjetit, nëse mjeti përpara frenon apo ndalet; 1.3.të mos e rrisë vrullshëm shpejtësinë, përkatësisht të mos niset nga vendi në atë mënyrë që të shkaktojë rrëshqitje dhe rrotullim të rrotave në vend, duke bërë zhurmë pa nevojë dhe kështu t’i shqetësojë pjesëmarrësit e tjerë në trafik, veçmas këmbësorët; 1.4. të mos bëjë gara shpejtësie; 1.5. të mos frenojë vrullshëm, përveç në rast të rrezikut të drejtpërdrejtë dhe atë duke i paralajmëruar pjesëmarrësit e tjerë në trafik me sinjalizim të dritave të frenimit dhe me të gjithë treguesit e drejtimit ose duke dhënë shenjë përkatëse me dorë. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e nën-paragrafëve 1.1 ose 1.2. të paragrafit 1. të këtij neni. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e nën-paragrafëve 1.3, 1.4. ose 1.5. të paragrafit 1. të këtij neni dhe atij i shqiptohet një (1) pikë negative. 4. Shoferi i mjetit është i detyruar t'i heqë nga sipërfaqja e rrugës sendet qe bien në rrugë nga mjeti i tij dhe sendet që i ka lënë në rrugë, kur e ka ndalur mjetin. 5. Me rastin e kyçjes në rrugë nga oborri, garazhi, vendparkimi apo nëse mjeti është i ndalur në rrugë, shoferi është i detyruar t'u jep përparësi të gjitha mjeteve që vijnë pas tij, këmbësorëve të kalojnë, të kyç treguesin e drejtimit dhe vetëm pastaj të hyjë në rrugë. 6. Shoferi i cili me mjet kyçet nga rruga e dheut në rrugë me shtresë bashkëkohore (asfalt) duhet të ndalë mjetin dhe të heq baltën nga rrotat. 7. Shoferi i cili lëviz pas mjetit të transportit publik urban të ndalur në vendndalim duhet të ketë kujdes të veçantë për shkak të situatës tejet të rrëzikshme, e cila krijohet me rastin e zbritjes së udhëtarëve të cilët duan të kalojnë rrugën para ose pas mjetit të transportit publik. 8. Kur shpejtësia e lëvizjes së mjetit është përgjysmë më e vogël se sa shpejtësia e lejuar për atë rrugë ose atë pjesë të rrugës, shoferi i atij mjeti duhet t'i ndez të gjithë treguesit e drejtimit, përveç nëse e shfrytëzon dritën vezulluese rrotulluese.

Shpejtësia e lëvizjes brenda zonës urbane

1. Shpejtësia më e madhe e lejuar brenda zonës urbane është pesëdhjetë (50) km/h, në qoftë se me shenja të trafikut nuk është e përcaktuar ndryshe. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind (500) euro euro, shoferi i cili brenda zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi mbi pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej treqind (300) euro euro, shoferi i cili brenda zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi tridhjetë (30) km/h deri në pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik gjashtë (6) muaj, si dhe i shqiptohen tri (3) pikë negative. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i cili brenda zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi njëzet (20) km/h deri në tridhjetë (30) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili brenda zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi dhjetë (10) km/h deri në njëzet (20) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i cili brenda zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi pesë (5) km/h deri në dhjetë (10) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. 7. Dëshmia për tejkalim të shpejtësisë sipas paragrafëve 2. dhe 3. të këtij neni duhet të bëhet nëpërmjet pajisjeve të avancuara teknologjike, përmes të cilave konstatohet tejkalimi i shpejtësisë me të dhëna të sakta për automjetin.

Shpejtësia më e madhe e lejuar jashtë zonës urbane

1. Në rrugë jashtë zonës urbane shoferit nuk i lejohet që të lëvizë me mjet me shpejtësi më të madhe sesa është e caktuar me shenjë të trafikut, e më së shumti: 1.1. në autoudhë - njëqind e tridhjetë (130) km/orë; 1.2. në motoudhë - njëqind e dhjetë (110) km/h; 1.3. në rrugë nacionale me dy shirita për një kah me ndarje fizike të shiritave rrugorë - njëqind (100) km/h; 1.4. në rrugë nacionale me një shirit të trafikut për një kah, në rrugë rajonale dhe në rrugë lokale - tetëdhjetë (80) km/h. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej treqind (300) euro euro, shoferi i cili jashtë zonës urbane lëviz me mjet mbi pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muajsh, si dhe i shqiptohen tri (3) pikë negative. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i cili jashtë zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi tridhjetë (30) km/h deri në pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohen dy (2) pikë negative. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili jashtë zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi njëzet (20) km/h deri në tridhjetë (30) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i cili jashtë zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi dhjetë (10) km/h deri në njëzet (20) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut.

Kthimi

1. Shoferi i mjetit që kthehet djathtas duhet ta bëjë kthimin duke lëvizur nëpër shiritin e skajshëm të trafikut që shtrihet përgjatë skajit të djathtë të sipërfaqes së rrugës, përveç në qoftë se me shenjë të trafikut në rrugë nuk është caktuar ndryshe. 2. Shoferi i mjetit që kthehet majtas duhet ta bëjë kthimin nëpër shiritin e majtë të skajshëm të trafikut që shtrihet pranë vijës së mesit dhe nëpër harkun e paramenduar ose të shënuar që lidh dy vijat e mesit të sipërfaqeve anësore të rrugës, përkatësisht nëpër shiritin e trafikut që shtrihet përgjatë skajit të majtë të rrugës në trafik me rrugë me një kah, përveç në qoftë se me shenjë të trafikut në rrugë nuk është caktuar ndryshe. 3. Rregullat në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni nuk zbatohen, nëse dimensionet e mjetit nuk e mundësojnë kthimin sipas kësaj rregulle. 4. Gjatë kthimit djathtas, shoferi është i detyruar t’i lëshojë mjetet që lëvizin nga ana e tij e djathtë nëpër shiritin e trafikut për mjetet e transportit publik. 5. Shoferit nuk i lejohet ta bëjë kthimin gjysmërrethor me mjet: 5.1. në tunele, në ura; 5.2. në nënkalime dhe në mbikalime; 5.3. në kushtet e dukshmërisë së dobësuar, përkatësisht të fushëpamjes së pamjaftueshme të rrugës; 5.4. në pjesën e rrugës me gjerësi të pamjaftueshme; 5.5. nëse gjatë kthimit kalon në sipërfaqen e ngritur të rrugës; 5.6. në rrugë me një kah; 5.7. ku ndalohet me shenjë trafiku. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Rregulla e krahut të djathtë

1. Gjatë afrimit të një kryqëzimi me rëndësi të njëjtë, kur kryqëzimi nuk është i rregulluar me shenja të trafikut, shoferi i mjetit duhet të ketë kujdes të veçantë dhe t’i japë përparësi mjetit që vjen nga krahu i tij i djathtë. 2. Kur shoferi i mjetit në kryqëzim rrugësh kthehet majtas, ai është i obliguar t’i japë përparësi mjetit i cili duke ardhur nga krahu i kundërt në kryqëzim lëviz drejt ose kthehet djathtas, përveç në qoftë se me shenjat e trafikut nuk është përcaktuar ndryshe. 3. Ndryshe nga rregullat e përcaktuara në paragrafin 1. e 2. të këtij neni, mjeti i cili lëviz nëpër binarë ka përparësi kalimi në të gjitha rastet, përveç nëse me shenjë të trafikut nuk është përcaktuar ndryshe. 4. Ndërmjet mjeteve të cilat në kryqëzim me semaforë në të njëjtën kohë e kanë kalimin të lirë, vlen rregulla e krahut të djathtë. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëdhjetë (50) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Rruga me përparësi kalimi

1. Shoferi i mjetit i cili hyn në rrugë me përparësi kalimi, është i obliguar t’u japë përparësi kalimi të gjitha mjeteve të cilat qarkullojnë në atë rrugë. 2. Kur mjetet që lëvizin në kryqëzim nëpër rrugën me përparësi kalimi nga kahu i kundërt, në rast se lëvizjet e tyre ndërpriten, vlen rregulla e krahut të djathtë. 3. Rregulla e krahut të djathtë vlen edhe nëse mjetet lëvizin nëpër rrugën dytësore nën kushtet e paragrafit 2. të këtij neni. 4. Shoferi i mjetit i cili hyn në rrugë nga sipërfaqja në të cilën nuk zhvillohet trafik publik, qoftë ajo rrugë dheu, oborr, depo, fabrikë apo të ngjashme, duhet t’u japë përparësi kalimi të gjitha mjeteve të cilat lëvizin nëpër rrugën ku hyn edhe atëherë kur kjo rrugë nuk është e shënjuar si rrugë me përparësi kalimi. 5. Për kundërvajtje, dënohet me gjobë prej pesëdhjetë (50) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Vendkalimi i biçikletave

1. Shoferi i mjetit i cili i afrohet vendkalimit të caktuar për biçikleta, duhet të ketë kujdes të veçantë dhe t’i japë përparësi biçiklistit i cili gjendet në vendkalim. 2. Shoferi i mjetit i cili me rastin e kthimit të mjetit e pret shtegun ose shiritin për biçikleta, duhet t’iu japë përparësi kalimi mjeteve që lëvizin nëpër shiritin ose shtegun për biçikleta. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Trafiku në kryqëzim

1. Kur shoferi i mjetit i afrohet kryqëzimit, ai duhet të lëvizë me kujdes të shtuar, në mënyrë që t’iu përshtatet kushteve të trafikut në kryqëzim dhe ta kuptojë mënyrën e rregullimit të trafikut në kryqëzim. 2. Kur shoferi i mjetit i afrohet kryqëzimit, ai është i obliguar të lëvizë me shpejtësi të tillë që të mund të ndalet dhe t’i lëshojë pjesëmarrësit e trafikut të cilët kanë përparësi kalimi në kryqëzim. 3. Shoferi i mjetit është i detyruar që në largësi të mjaftueshme para kryqëzimit ta marrë drejtimin me mjet në atë shirit të trafikut nëpër të cilin duhet ta lëshojë kryqëzimin. 4. Kur në kryqëzim mjetet vijnë nga kahe të kundërta dhe kthehen majtas, qendrën e kryqëzimit e kanë nga ana e vet e djathtë. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Ndalimi i hyrjes në kryqëzim

1. Shoferit me mjet nuk i lejohet hyrja në kryqëzim nëse dendësia e trafikut është e tillë që në rast se do të ndalet në kryqëzim ose në vendkalim të këmbësorëve, ai do ta pengojë ose do ta pamundësojë trafikun e mjeteve të cilat vijnë nga rrugët anësore të kryqëzimit ose lëvizjen e këmbësorëve. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Përballëkalimi

1. Shoferi obligohet që gjatë përballëkalimit të mbajë distancë të sigurt anësore në mes mjetit të tij dhe mjetit ose pjesëmarrësit tjetër në trafik që është duke kaluar përballë dhe, nëse është e nevojshme, të shmanget në anën e djathtë të rrugës ose të ndalet për të mundësuar përballëkalim të sigurt. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i cili me mjet vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Përparësia e kalimit gjatë përballëkalimit

1. Kur përballëkalimi i mjeteve është i pamundur si pasojë e punimeve në rrugë, si pasojë e ndonjë mjeti të ndaluar ose të ndonjë pengese tjetër në rrugë, shoferi i mjetit i cili e ka pengesën në kahun e tij të lëvizjes duhet ndalet për t’i dhënë përparësi kalimi mjetit që vjen nga kahu i kundërt i rrugës. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Përballëkalimi në pjerrtësi

1. Në rrugë me pjerrtësi, ku përballëkalimi me mjete të tjera është i vështirë ose i pamundur, shoferi i mjetit që lëviz teposhtë duhet të ndalet dhe të pozicionohet sa më afër skajit të rrugës, në mënyrë që t’ia mundësojë përballëkalimin mjetit i cili lëviz përpjetë. 2. Shoferi i mjetit që lëviz përpjetë duhet ta ndalë mjetin e vet në rast se para vetes ka vend të përshtatshëm për ndalim, për ta mundësuar përballëkalimin e sigurt të mjetit që lëviz teposhtë. 3. Në rrugë me pjerrtësi në të cilën përballëkalimi është i vështirësuar ose i pamundur, kurse njëri nga mjetet detyrohet të lëvizë prapa me qëllim të mundësimit të qarkullimit, këtë duhet ta bëjë: 3.1. çdo mjet i cili takohet me mjetin që tërheq mjet të bashkëngjitur; 3.2. mjeti i lehtë i cili takohet me mjetin e kategorisë më të lartë; 3.3. mjeti transportues i cili takohet me autobusin; 3.4. mjeti i cili lëviz teposhtë, në qoftë se mjetet janë të së njëjtës kategori. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Detyrimet e shoferit për tejkalim

1. Para fillimit të tejkalimit, shoferi duhet të sigurohet se: 1.1. ekziston fushëpamje dhe hapësirë e mjaftueshme që ta bëjë veprimin e tejkalimit pa i penguar dhe pa i rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafikun rrugor; 1.2. shoferi i mjetit që lëviz prapa tij nuk e ka filluar veprimin e tejkalimit; 1.3. shoferi që ndodhet në mjetin përpara tij në të njëjtin shirit të trafikut nuk ka dhënë shenjë se ka për qëllim ta tejkalojë ndonjë mjet tjetër, ta ndryshojë drejtimin e lëvizjes apo ta ndërrojë shiritin e trafikut; 1.4. në rrugë ka hapësirë të mjaftueshme për realizim të plotë të tejkalimit, duke e pasur parasysh diferencën ndërmjet shpejtësisë së tij dhe të mjetit që tejkalohet, si dhe distancën dhe shpejtësinë e mjeteve që vijnë nga krahu i kundërt; 1.5. pas tejkalimit nuk do të bëjë manovrime të rrezikshme dhe të kthehet sa më parë që të jetë e mundur në shiritin e trafikut në të cilin ka lëvizur para tejkalimit, pa e penguar ose rrezikuar mjetin të cilin e tejkalon. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Distanca anësore e sigurisë

1. Gjatë tejkalimit shoferi i mjetit duhet të ushtrojë kujdes të veçantë dhe të mbajë distancë të sigurt anësore ndaj mjetit të cilin e tejkalon ose ndaj pjesëmarrësve të tjerë në trafik. 2. Në rast të tejkalimit të mjetit me dy rrota ose të kolonës së këmbësorëve, distanca anësore e sigurisë duhet të jetë së paku 1 metër. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Lëvizja në rreshta paralelë

1. Në rrugë në të cilën ekzistojnë të paktën dy shirita të trafikut të paraparë për qarkullim të mjeteve që lëvizin në kahe të njëjta dhe në të cilën ndodhet kolonë e mjeteve, shoferit nuk i lejohet me mjet të kalojë nga një shirit në shiritin tjetër. Shoferi mund ta lëshojë shiritin në të cilin ndodhet vetëm në rastet kur pozicionohet që të kthehet në anën e majtë ose në anën e djathtë, apo për parkim të mjetit. 2. Në rrugët brenda zonës urbane sipas kushteve të paragrafit 1. të këtij neni, lëvizja më e shpejtë e mjetit në një shirit sesa në shiritin tjetër, si dhe kalimi pranë mjetit që lëviz ngadalë e që nuk e shfrytëzon shiritin e djathtë të skajshëm të trafikut, nuk konsiderohet tejkalim. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Mjetet që lëvizin ngadalë

1. Nëse për shkak të gjerësisë së pamjaftueshme të rrugës ose të gjendjes së saj nuk është i mundur tejkalimi pa i rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik, shoferi i mjetit që lëviz më ngadalë sesa mjeti që lëviz drejtpërsëdrejti pas tij, është i detyruar që ta largojë mjetin e tij sa më djathtas dhe, nëse është e nevojshme, të ndalet në qoftë se prapa tij formohet kolona më tepër se pesë (5) mjete. dhe të ndalet sa më shpejt që të jetë e mundur, d.m.th., sapo t’i jepet mundësia e parë që ta ndalë mjetin e vet në një vend të përshtatshëm, në mënyrë që t’i lëshojë mjetet e shpejta ta tejkalojnë. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Dispozitat e tejkalimit

1. Tejkalimi i mjetit bëhet nga ana e majtë. 2. Tejkalimi i mjetit mund të bëhet nga ana e djathtë, ndryshe nga dispozita e paragrafit 1. të këtij neni, por vetëm në këto raste: 2.1. kur mjeti tjetër, i cili ndodhet përpara mjetit në të njëjtin kah, në rrugë ka zënë pozitë pranë skajit të majtë të shiritit dhe shoferi i tij jep sinjal për kthim në anën e majtë; 2.2. pranë mjetit i cili lëviz nëpër binarë të vendosur në mes të rrugës, në qoftë se midis atij mjeti dhe skajit të djathtë të rrugës ekziston shirit i trafikut. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. Atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muajsh, si dhe një (1) pikë negative.

Detyrimet e shoferit, mjeti i të cilit tejkalohet

1. Shoferi, të cilit i është dhënë sinjal se mjeti pas tij po synon ta tejkalojë mjetin nga krahu i tij i majtë, duhet t’iu përmbahet këtyre rregullave: 1.1. duhet ta largojë mjetin e tij kah skaji i djathtë i rrugës; 1.2. nuk i lejohet ta rrisë shpejtësinë gjatë kohës gjersa tejkalohet. 2. Shoferi i cili tejkalohet nga ana e djathtë e tij duhet të veprojë njësoj sipas paragrafit 1. të këtij neni. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. Atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muajsh, si dhe një (1) pikë negative.

Vendet ku ndalohet tejkalimi

1. Ndalohet tejkalimi: 1.1. në vendet ku është e ndaluar me shenja të trafikut; 1.2. drejtpërdrejt para vendkalimit hekurudhor, në vendkalim ose mbi binarë në të njëjtin nivel; 1.3. drejtpërdrejt para dhe në vendkalim të këmbësorëve; 1.4. drejtpërdrejt para dhe në vendkalim të biçiklistëve; 1.5. në shiritin për nxitim; 1.6. në shiritin për ngadalësim; 1.7. në shiritin për ndalje të detyrueshme; 1.8. para dhe në kurriz rruge, para dhe në kthesë të padukshme, përveç në rrugën qarkulluese që ka më së paku dy shirita të trafikut për lëvizje të mjeteve në një kah; 1.9. nëse kalohet me mjet përtej vijës së plotë të pandërprerë gjatësore, duke e shfrytëzuar shiritin e trafikut të paraparë për lëvizjen e mjeteve që vijnë nga kahu i kundërt; 1.10. ndryshe nga dispozita që parasheh nënparagrafi 1.9. i këtij paragrafi, gjatë tejkalimit lejohet të kalohet me mjet përtej vijës së plotë të pandërprerë gjatësore vetëm në rastet kur tejkalimi bëhet pranë mjeteve pa motor dhe pranë mjeteve me veprim motorik të cilat nuk zhvillojnë shpejtësi mbi tridhjetë (30)km/h, si traktorët, motokultivatorët, mopedët etj.; 1.11. në tunel, përveç nëse ekzistojnë dy ose më tepër shirita të trafikut në një kah. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muaj, si dhe dy (2) pikë negative.

Ndalim i tejkalimit të mjeteve

1. Ndalohet tejkalimi i këtyre mjeteve: 1.1. i mjeteve nën përcjellje dhe me përparësi kalimi kur ato janë në intervenim; 1.2. i kolonës së mjeteve; 1.3. i mjetit i cili është ndalur ose është duke u ndalur për shkak lëshimit të këmbësorëve në rrugë. 2. Tejkalimi ndalohet edhe në këto situata: 2.1. nëse me këtë veprim do të rrezikohet siguria e trafikut ose do të pengohet trafiku nga kahu i kundërt; 2.2. nëse pas kryerjes së tejkalimit apo anashkalimit, mjeti nuk mund të kthehet në shiritin e trafikut nga i cili ka lëvizur më parë pa i penguar ose pa i rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muaj, si dhe dy (2) pikë negative. 4. Në rast të tejkalimit të mjetit me dy rrota ose kolonës së këmbësorëve, distanca anësore e sigurisë nuk duhet të jetë më e vogël se 1m. 5. Ndalohet tejkalimi përpara majës së qafës së rrugës ose në kthesë ku pamja është e pamjaftueshme, përpos nëse në ato vende egzistojnë dy ose më shumë shirita të trafikut për lëvizje në një kahje. 6. Ndalohet tejkalimi: - Kur me shenja të trafikut është në mënyrë të prerë i ndaluar, - drejtëpërdrejt para ose në kryqëzim i cili nuk është me rrethrrotullim të trafikut, përveç biçikletës, çiklomotorit dhe motoçikletës pa riomorkio anësore, - drejtëpërdrejtë para dhe në vendkalim të rrugës mbi binar hekurudhor ose tramvajit, - i mjetit i cili është duke lëvizur në drejtimin e njëjtë por ndalet në mënyrë që t'i jap përparësi këmbësorit, - drejtëpërdrejtë para dhe në vendëkalimin e biçiklistëve, - drejtëpërdrejtë para dhe në vendkalim e këmbësorëve, me përjashtim në vendkalimin e këmbësorëve ku trafiku rregullohet nga semaforët apo personat e autorizuar, - ndalohet tejkalimi i mjeteve me përparësi kalimi dhe nën përcjellje kur janë në kryerjen e detyrës, - më shumë se dy mjete, të cilat nuk përbëjnë një kolonë në kuptimin e këtij ligji, - kolonës së mjeteve, - në shiritin për nxitim, ngadalësim dhe ndalje emergjente. 7. Lejohet tejkalimi i mjeteve të cilat nuk mund të zhvillojnë shpejtësi më të madhe se 30km/h në rrugë të rrafshët dhe për mjetë të cilat nuk konsiderohen mjete motorike në vijë të plotë gjatësore dhe në rastet e ndaluara me shenjë të trafikut me kusht që nuk rrezikon dhe pengon pjesëmarrësit tjerë në trafik. 8. Shoferi i mjetit pasi të ketë kryer tejkalimin e mjetit tjetër, duhet të japë shenjën kur synon të kthehet në shiritin e trafikut në të cilin ka lëvizur para se ta bëjë tejkalimin.

Situatat kur lejohet tejkalimi në kryqëzim

1. Shoferit nuk i lejohet ta tejkalojë mjetin tjetër drejtpërdrejt para kryqëzimit dhe në kryqëzim i cili nuk është me rrethrrotullim, përveç në këto situata: 1.1. kur mjeti tjetër i cili ndodhet përpara mjetit kthehet majtas, kurse tejkalohet nga ana e djathtë; 1.2. kur gjatë tejkalimit të mjetit tjetër që kthehet djathtas, me mjetin e vet nuk kalon në pjesën e rrugës së paraparë për trafikun nga kahu i kundërt; 1.3. kur mjeti lëviz në rrugë me përparësi kalimi; 1.4. në kryqëzim në të cilin trafiku rregullohet me semaforë ose nga personi i autorizuar. 2. Shoferit të mjetit i lejohet ta tejkalojë biçikletën, mopedin ose motoçikletën pa rimorkio anësore drejtpërdrejt para kryqëzimit dhe në kryqëzim i cili nuk është me rrethrrotullim. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muajsh, si dhe një (1) negative.

Anashkalimi

1. Në qoftë se në mes të rrugës ndodhet ishulli për këmbësorë, ose është e shënuar hapësira për parkim të mjeteve, ose është ndonjë sipërfaqe tjetër që nuk është e caktuar për trafik të mjeteve, ose është ndonjë objekt a mekanizëm tjetër, - atëherë shoferi i mjetit duhet t’i anashkalojë ato nga ana e djathtë. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Anashkalimi nga ana e majtë

1. Në qoftë se sipërfaqet, objektet a mekanizmat nga paragrafi 1. i nenit 77 të këtij ligji ndodhen në mes të rrugës me një kah, shoferi i mjetit mund t’i anashkalojë ato nga ana e djathtë ose e majtë, në qoftë se me shenja të trafikut nuk është përcaktuar ndryshe. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Sinjalet paralajmëruese të dritës dhe zërit

1. Shoferi i mjetit duhet të japë sinjale zëri apo drite kur është e domosdoshme për t’i paralajmëruar pjesëmarrësit e tjerë mbi rrezikun në rrugë.

Rastet kur ndalohet përdorimi i sinjaleve të zërit dhe dritës

1. Ndalohet: 1.1. të keqpërdoren sinjalet e zërit dhe dritës; 1.2. të jepen sinjale zëri brenda zonës urbane, përveç në rast rreziku të drejtpërdrejtë; 1.3. t’i paralajmërojë pjesëmarrësit e tjerë të trafikut nën kushtet kur shoferët e tjerë do t’i ekspozohen dritës verbuese. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Sinjalet paralajmëruese të zërit

1. Shoferi obligohet që t’i përdorë sinjalet paralajmëruese të zërit kur e kërkon nevoja e sigurisë së trafikut, sidomos: 1.1. në rrugë jashtë zonës urbane, për ta paralajmëruar pjesëmarrësin tjetër në trafik që dëshiron të tejkalojë ose të anashkalojë, kur mosdhënia e këtij sinjali do të rrezikonte shkaktim të aksidentit në trafik; 1.2. në qoftë se pranë rrugës gjenden fëmijë të cilët nuk i kushtojnë vëmendje qarkullimit të mjeteve; 1.3. në rrugë jashtë zonës urbane, në të cilat përballëkalimi është i vështirësuar, si p.sh: para hyrjes në kthesa të padukshme dhe të ngushtuara, para arritjes në kurriz e në situata të ngjashme. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Sinjalet paralajmëruese të dritës

1. Prej muzgut të parë deri në agimin e plotë, shoferi i mjetit, në vend të sinjalit të zërit për paralajmërim, si rregull e përdor sinjalin e paralajmërimit me drita. Këtë sinjal shoferi i mjetit mund ta përdorë edhe në zonën urbane, gjatë tejkalimit të mjetit tjetër. 2. Sinjalin e paralajmërimit me drita shoferi i mjetit mund ta përdorë edhe ditën, në qoftë se mënyra e tillë e paralajmërimit u përshtatet më mirë rrethanave në rrugë. 3. Sinjali i paralajmërimit me dritë jepet duke i ndezur në intervale të shkurtra të njëpasnjëshme dritat e gjata, duke i ndezur në mënyrë të njëpasnjëshme dritat e shkurta për ndriçim të rrugës ose duke i ndezur në mënyrë alternative, në intervale të shkurtra dritat e gjata dhe dritat e shkurtra. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Ndezja e të gjithë tregueseve të drejtimit

1. Shoferi i mjetit në rrugë publike është i detyruar t’i ndezë të gjithë treguesit e drejtimit - nëse në mjet janë të instaluara - si në vijim: 1.1. gjatë kohës së hyrjes apo daljes së udhëtarëve; 1.2. nëse i paralajmëron pjesëmarrësit e tjerë në trafik për rrezikun në trafik; 1.3. gjatë kohës së dukshmërisë shumë të vështirësuar, si pasojë e mjegullës së dendur, tymit e të ngjashme; 1.4. nëse është mjeti i fundit i ndalur në kolonën e cila është e ndalur në rrugë jashtë zonës urbane, përveç nëse kolona është e ndalur të veprojë sipas dispozitave apo shenjave të trafikut; 1.5. gjatë drejtimit mbrapa; 1.6. nëse ndalet në rrugë qarkulluese, përveç me rastin e parkimit në vendin e shënuar, përkatësisht për të vepruar sipas rregullave apo shenjave të trafikut. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Ndalja dhe parkimi

1. Shoferit nuk i lejohet ta ndalë dhe ta parkojë mjetin në vendin ku do ta rrezikonte sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik ose do ta pengonte zhvillimin normal të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. 3. Ndalje e mjetit është ndërprerja e lëvizjes së mjetit deri në 3 minuta. 4. Parkim i mjetit është ndërprerja e lëvizjes së mjetit më gjatë se 3 minuta. 5. Mjeti i parkuar, që është pengës për këmbësorët e mjetet dhe në vend të ndaluar me ligj mund të largohet nga ai vend me urdhër të personit të autorizuar. Shpenzimet do t'i bart shoferi përkatësisht pronari i mjetit. 6. Kur parkoni mjetin natën në rrugët urbane me ndriçim rrugor, dhe në vendparkimin e caktuar, nuk duhet t'i ndezni dritat për shënimin e mjetit të ndalur. Ndërsa kur e parkoni mjetin natën në rrugë e cila nuk është e ndriçuar duhet t'i ndezni dritat për shënimin e mjetit të ndalur (pozicionet). 7. Në mjetin e parkuar në teposhtëze rrotat duhet të jenë të kthyera djathtas kah skaji i rrugës, kurse shkalla e transmisionit duhet të jetë në pozitën për lëvizje mbrapa, dhe duhet të aktivizohet freni i dorës. Në mjetin e parkuar në përpjetëze rrotat duhet të jenë të kthyera majtas kah mesi i rrugës, kurse shkalla e transmisionit duhet të jetë në shkallën e parë dhe duhet të aktivizohet freni i dorës.

Ndalja e mjetit pran skajit të djathtë të rrugës

1. Shoferi i cili e ndal ose e parkon mjetin në rrugë publike është i detyruar ta ndalë, përkatësisht ta parkojë atë sa më pranë cepit të djathtë të sipërfaqes së rrugës qarkulluese. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Shenjat rrugore për parkim

1. Shoferi i mjetit duhet ta përdorë mënyrën e ndaljes së mjetit siç tregohet me shenja të trafikut rrugor. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Detyrimet e shoferit gjatë ndaljes ose parkimit

1. Me rastin e ndaljes ose parkimit të mjetit në rrugë jashtë zonës urbane, mjeti duhet të ndalet ose të parkohet jashtë rrugës qarkulluese. 2. Shoferi i cili për shkak të defektit në mjet, aksidentit të trafikut ose për ndonjë shkak tjetër të arsyeshëm ka qenë i detyruar ta ndalë mjetin në rrugë, duhet t’i marrë të gjitha masat në mënyrë që mjeti i ndalur në rrugë të mos e pengojë ose të mos e rrezikojë trafikun dhe është i obliguar që menjëherë ta largojë mjetin nga rruga. 3. Shoferi i cili për shkak të defektit në mjet, aksidentit në trafik ose për ndonjë arsye tjetër ka qenë i detyruar ta ndalë mjetin mbi binarë, detyrohet menjëherë ta largojë atë nga binaret. Nëse një gjë e tillë nuk është e mundshme, atëherë ai duhet t’i marrë të gjitha masat në mënyrë që të lajmërohet me kohë personi i cili e drejton mjetin mbi binarë. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Ndalja dhe parkimi në trotuar

1. Lejohet parkimi i mjetit në trotuar me dy rrotat anësore apo me rrotat e një boshti të mjetit të udhëtarëve, motoçikletës, triçikletës, katërçikletës, mopedit, dhe biçikletës, me kusht që: 1.1. gjerësia e trotuarit që mbetet në dispozicion të këmbësorëve të jetë e mjaftueshme për lëvizjen e lirë të këmbësorëve; ajo nuk duhet të jetë më e vogël se 1,6 metra dhe nuk duhet te jetë pranë skajit të djathtë të rrugës qarkulluese; 1.2. mjeti, të cilit boshti i përparmë i vendoset në trotuar, nuk e pengon qarkullimin rrugor. 2. Sipas paragrafit 1. të këtij neni, lejohet parkimi në trotuar afër skajit të rrugës vetëm në vendin e shënuar me shenja të trafikut rrugor. 3. Shoferi mund ta parkojë mjetin e vet në vendet që ndodhen në mes të sipërfaqes së rrugës, vetëm kur këto vende janë të shënuara si vendparkim me shenja të trafikut rrugor. 4. Nëse pranë skajit të djathtë të rrugës gjenden binarët e tramvajit ose binarët e trenit, shoferi mund ta ndalë ose ta parkojë mjetin në anën e majtë të rrugës. 5. Në rrugë në një kah shoferi mund ta parkojë mjetin në dy anët e rrugës, nëse me këtë ligj ose me shenja të trafikut nuk përcaktohet ndryshe. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili e ndal ose e parkon mjetin në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Vendet ku ndalohet ndalja e mjetit

1. Është e ndaluar ndalja e mjetit në këto vende: 1.1. në kthesë të padukshme dhe në kurriz; 1.2. në tunel, në nënkalim e mbikalim, mbi urë, si dhe në distancë më të vogël se pesëmbëdhjet (15) metra nga vendet e përmendura; 1.3. mbi binarët e tramvajit ose të hekurudhës në të njëjtin nivel me rrugën dhe në afërsi të tyre, nëse pengohet lëvizja e mjetit mbi binarë; 1.4. në kryqëzim dhe në largësi më të vogël se pesë (5) metra nga skaji më i afërt i rrugës tërthore; 1.5. në shtegun dhe shiritin për biçikleta; 1.6. në vendndalim të autobusëve ose në sipërfaqe të zgjeruar jashtë shiritit për qarkullim të mjeteve që kryejnë transport publik të udhëtarëve, e të cilat vende janë të përcaktuara me shenja përkatëse të trafikut; 1.7. në vendkalim të këmbësorëve, në vendkalim të biçikletave, si dhe në distancë më të vogël se pesë (5) metra para vendkalimit të tillë; 1.8. në rrugë, përgjatë vijës së bardhë të plotë dhe në afërsi të pikave të përfundimit të tyre, nëse kjo do t’i detyronte shoferët e tjerë që gjatë drejtimit të mjetit ose bashkësisë së mjeteve të kalojnë mbi atë vijë; 1.9. në distancë më të vogël se dhjetë (10) metra nga ana e përparme e shenjës apo sinjalit të trafikut, nëse mjeti do ta mbulonte pamjen e tyre; 1.10. në rrugë ku shiritat rrugorë janë ndarë fizikisht ndërmjet vetes, vetëm nëse janë të lejuara me shenja të trafikut; 1.11. në shtegun e këmbësorëve, përkatësisht në pjesën e trotuarit i cili është i paraparë për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara; 1.12. në sipërfaqen në të cilën ndalohet qarkullimi i mjeteve sipas shenjave të trafikut rrugor; 1.13. në skajin së majtë të rrugës, me përjashtim të ndaljes apo parkimit brenda zonës urbane në rrugë në një kah. 1.14. në brezin ndarës ndërmjet shiritave rrugorë; 1.15. në vendin e rezervuar për parkim të mjetit për personat me aftësi të kufizuara; 1.16. në trotuar, me përjashtim të dispozitave të nenit 91 të këtij ligji; 1.17. në pjesën e rrugës ku gjerësia e kalimit të lirë prej mjetit të ndalur ose të parkuar deri te vija e plotë gjatësore e mesit e shënuar në rrugë do të ishte më e vogël se tri (3) metra, përkatësisht deri te skaji tjetër i rrugës më e vogël se katër (4) metra. 2. Në zonën e FSK-së ndalohet ndalja dhe parkimi i mjeteve pa autorizim të veçantë nga FSKja. 3. Ndryshe nga dispozita e nën-paragrafit 1.6. të paragrafit 1. të këtij neni, shoferit të taksisë me veturë deri në katër (4) ulëse, duke mos e përfshirë edhe ulësen e shoferit, i lejohet ndalja në shiritin e trafikut për mjete të transportit publik në të cilin nuk lëviz mjeti nëpër binarë, dhe atë vetëm për kohën derisa hyjnë apo dalin udhëtarët. 4. Ndalohet qëndrimi i mjetit taksi për të pritur për t’i marrë udhëtarët sipas paragrafit 3. të këtij neni. 5. Dispozitat e këtij ligji që kanë të bëjnë me ndaljen dhe parkimin nuk aplikohen për zyrtarë të Policisë në kryerjen e punës së tyre zyrtare. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili e ndal ose e parkon mjetin në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. 7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyqind (200) euro, shoferi i mjetit taksi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4. të këtij neni.

Vendet ku ndalohet parkimi i mjetit

1. Ndalohet parkimi i mjeteve në këto vende: 1.1. në vendin ku ekziston hyrja apo dalja nga garazhi, nga porta, apo të ngjashme dhe ku mund ta pengojë trafikun; 1.2. në vendin ku shkakton pengesë për mjetin tjetër për t’u parkuar apo për të dalë nga vendparkimi; 1.3. në pjesën e rrugës para kalimit të rrugës në nivel me vijën hekurudhore ose me vijën e tramvajit në një largësi më të vogël se pesëmbëdhjetë (15) metra nga këto kalime; 1.4. brenda zonës urbane, mjeti apo bashkësia e mjeteve me masën më madhe të lejuar mbi 3.500 kg apo me gjatësi që i tejkalon dymbëdhjetë (12) metra, jashtë vendit të përcaktuar me shenjë si parkim për këto mjete; 1.5. në distancë më të vogël se pesëmbëdhjetë (15) metra para ose mbrapa vendndalimit të autobusit apo shenjës së trafikut që e shënon këtë vendndalim; 1.6. në hyrje të rrugëve të lagjeve, në kalimet ndërmjet ndërtesave, përkatësisht në hyrje apo në dalje të blloqeve të banesave; 1.7. në rrugët jashtë vendparkimeve të cilat i lidhin hapësirat e parkimit me ndërtesat e banimit dhe me rrugë të tjera; 1.8. mbi kapakët e rrjetit të ujësjellësit, të kanalizimit ose të rrjeteve të tjera të shërbimeve komunale, apo të ngjashme. 2. Në mungesë të shoferit të mjetit i cili është ndalur ose është parkuar në një vend të ndaluar, Policia bën fotografimin e mjetit dhe ia lë njoftimin shoferit në mjet, me anën e të cilit njoftim shoferi obligohet të paraqitet në stacionin e Policisë për për veprime të mëtutjeshme. 3. Nëse shoferi nga paragrafi 2. i këtij neni nuk paraqitet në Polici, Polici merr masa të duhura ndaj pronarit të mjetit me veprim motorik, duke i shfrytëzuar të dhënat nga Qendra e Regjistrimit të Automjeteve. 4. Pronari i mjetit nga paragrafi 2. i këtij neni nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit, apo ndërrimin e pronarit, pa e bërë pagesën e gjobave të përcaktuara sipas dispozitave të paragrafit 2. të këtij ligji. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili e parkon mjetin në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Përdorimi i dritave në trafik

1. Në automjetin që merr pjesë në trafikun rrugor duhet të jenë të ndezura dritat si vijon: 1.1. Automjetet, përveç mopedëve dhe motoçikletave pa rimorkio anësore, duhet t’i kenë së paku dy drita të bardha në pjesën e përparme dhe dy drita të kuqe në pjesën e pasme; 1.2. mopedi dhe motoçikleta pa rimorkio anësore duhet t’i kenë të paktën një dritë të bardhë në pjesën e përparme dhe të paktën një dritë të kuqe në pjesën e pasme; 1.3. kur automjeti tërheq një ose dy mjete të bashkëngjitura, në pjesën e pasme të mjetit të fundit të bashkëngjitur duhet të jenë të ndezura të paktën dy drita të kuqe, e në qoftë se gjerësia e mjetit të bashkëngjitur është më e madhe se 1,60 metra, në pjesën e përparme të mjetit të parë të bashkëngjitur duhet të jenë të ndezura dy drita të bardha. 2. Automjeti i cili merr pjesë në trafikun rrugor duhet t’i ketë në rregull sistemin e sinjalizimit dhe të ndriçimit, të pozicionit, dritat e shkurtra, dritat e gjata, dritat e mjegullës, treguesit e drejtimit, gabaritet, dritat e tabelës dhe të ngjashme. 3. Përdorimi i dritave në automjetin i cili është i pajisur me teknologji të avancuar bëhet siç parashihet nga prodhuesi i automjetit, në përputhje me standardet e përcaktuara. 4. Nuk lejohet vendosja e çfarëdo drite para ose mbrapa automjetit që nuk është e paraparë me këtë ligj, e as vendosja e dritave shtesë pa leje të veçantë. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me rregullat e paragrafëve 1. ose 2. të këtij neni. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafëve 3. ose 4. të këtij neni. 7. Dritat e gjata duhet të ndriçojnë rrugën në largësi së paku 100m dhe në llambën kontrolluese në tabelën e mjetit motorik ndizet drita me ngjyrë të kaltërt. 8. Dritat e shkurtëra duhet të ndriçojnë rrugën në largësi prej 40m deri 80m dhe në llambën kontrolluese në tabelën e mjetit motorik ndizet drita me ngjyrë të gjelbërt. 9. Dritat e mjegullës duhet të ndriçojnë rrugën më së largu deri në gjatësi prej 35m dhe në llambën kontrolluese në tabelën e mjetit motorik ndizet drita me ngjyrë të verdhë. 10. Dritat e mjegullës mund të përdorën kur largësia e dukshmërisë së rrugës nuk është më e gjatë se 50m, mund të përdorën vetëm kur ka mjegull ose në rast të dukshmërisë së zvogëluar. Në anën e përparme të mjetit japin dritë të bardhë ose dritë të verdhë ndërsa në anën e pasmë të mjetit janë me ngjyrë të kuqe. 11. Dritat për lëvizje mbrapa ndizen automatikisht kur marrëshi i shpejtësisë vihet në pozitën për lëvizje mbrapa. 12. Dritat për shënimin e mjetit motorik përdorën natën vetëm për shënimin e mjetit të ndalur ose parkuar në rrugë. 13. Dritat gabarite janë të detyrueshme për mjetet motorike dhe mjetet e bashkangjitura që e kanë mbyllur pjesën e epërme, lartësia e të cilave është mbi 2.8m, vendosen në pjesën e përparme dy drita të bardha, kurse në pjesën e pasme dy drita të kuqe.

Përdorimi i dritave

1. Për ndriçim të rrugës, shoferi i automjetit përdor dritat e shkurtra. 2. Dritat e gjata përdoren në rastet vijuese: 2.1. gjatë përballëkalimit, kur mjeti tjetër vjen përballë dhe kur njëri nga shoferët e mjetit i ndal dritat e gjata dhe i ndez dritat e shkurtra; 2.2. kur ekziston mundësia që ta pengojë nga prapa shoferin e mjetit përpara; 2.3. në afërsi të mjetit që lëviz nëpër binarë, të mjetit që lundron ose të ngjashme; 2.4. gjatë kohës derisa kalon pranë kolonës të organizuar të këmbësorëve; 2.5. në pjesën e rrugës me ndriçim rrugor 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit që i përdor dritat për ndriçim të rrugës në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Rastet kur mjeti nuk duhet t’i ketë të ndezura dritat

1. Mjetet nuk duhet t’i kenë të ndezura dritat: 1.1. mjeti i ndalur ose i parkuar në pjesën e ndriçuar të rrugës që shihet qartë nga një largësi e mjaftueshme; 1.2. mjeti i ndalur ose i parkuar në vende të caktuara në rrugë ose jashtë rrugës, ose në rrugë me intensitet të dobët të trafikut; 1.3. biçikleta, mopedi dhe motoçikleta pa rimorkio anësore e cila nuk ka bateri, kur janë të ndalura ose të parkuara brenda zonës së banuar, pranë skajit të djathtë të rrugës qarkulluese. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Dritat e parkimit

1. Mjetet te të cilat gjatësia nuk i kalon tetë (8) metra dhe gjerësia dy (2) metra dhe të cilat nuk kanë të bashkëngjitur mjet tjetër, kur është i ndalur ose i parkuar në rrugë brenda zonës së banuar, në vend të dritave siç parashihen në pikat më lartë duhet të ketë të ndezur një dritë e cila nga ana e përparme shihet si e bardhë dhe një dritë nga ana e pasme si e kuqe, d.m.th. duhet të ketë të ndezura dritat e parkimit dhe të aktivizuara në anën e kundërt nga skaji i rrugës në të cilën mjeti është i ndaluar ose i parkuar. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Dritat gjatë drejtimit ditën

1. Shoferi i automjetit duhet t’i ketë të ndezura dritat e shkurtra ose dritat e ditës gjatë tërë kohës së drejtimit. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i mjetit i cili nuk i përdor dritat sipas dispozitave të këtij neni.

Dritat gjatë drejtimit nëpër mjegull

1. Kur ka mjegull shoferi i automjetit duhet t’i ketë të ndezura në mjet dritat e shkurtra ose ato për mjegull, ose të dy llojet e dritave në të njëjtën kohë. 2. Dritat për mjegull lejohet të përdoren vetëm kur ka mjegull ose në rast të dukshmërisë së vështirësuar. 3. Dritat për mjegull të cilat gjinden në pjesën e përparme mund të jenë të bardha ose të verdha, ndërsa në pjesën e pasme me ngjyrë të kuqe. 4. Shoferi i automjetit mund t’i përdorë dritat e mjegullës kur dukshmëria është më e vogël se pesëdhjetë (50) metra. Kur dukshmëria të përmirësohet, shoferi i mjetit duhet t’i ndalë këto drita menjëherë. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i mjetit i cili i përdor dritat për mjegull në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i mjetit i cili nuk i përdor dritat e pozicionit sipas dispozitave të këtij neni.

Dritat e pozicionit

1. Gjatë gjithë kohës së lëvizjes, automjeti duhet t’i ketë të ndezura edhe dritat e pozicionit, përveç dritave të zakonshme për ndriçim të rrugës, respektivisht atyre të veçanta për mjegull. 2. Në rast se mjeti nuk ka drita të radhitura në nenin 112 të këtij ligji, në vend të tyre, shoferi i mjetit duhet t’i përdorë ato drita me të cilat është i pajisur mjeti. 3. Dispozitat nga neni 112 të këtij ligji nuk zbatohen gjatë ndaljes së mjetit e cila vjen për shkak të dispozitave të trafikut rrugor. 4. Nëse ndalja në kolonë zgjat më shumë se një (1) minutë, lejohet të ndalen dritat e shkurtra të mjetit nëse para dhe pas tij në të njëjtin shirit të trafikut janë të ndalura mjete të tjera. 5. Dritat e pozicionit në mjet mund të ndizen gjatë qëndrimit, gjatë ndaljes apo në parkim, me kusht që ato nuk i pengojnë pjesëmarrësit e tjerë në trafik. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i mjetit i cili nuk i përdor dritat e pozicionit sipas dispozitave të këtij neni.

Rregullat e trafikut për biçiklistë

1. Shoferi i biçikletës (në tekstin më tutje: biçiklisti), gjatë drejtimit duhet ta shfrytëzojë shiritin për biçikleta ose shtegun e përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë. 2. Biçiklisti, gjatë shfrytëzimit të shtegut të përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë, duhet të ketë kujdes të shtuar dhe t’u japë përparësi këmbësorëve 3. Kur nuk ekziston shtegu apo shiriti për biçikleta ose shtegu i përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë, biçiklisti duhet ta shfrytëzojë bankinën dhe nëse kjo nuk është e mundshme, ta shfrytëzojë shiritin e djathtë, duke lëvizur sa ma afër skajit të djathtë në distancë deri në një (1) metër. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, biçiklisti i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Mosha e biçiklistit

1. Fëmijës më të ri se dymbëdhjetë (12) vjeç nuk i lejohet ta drejtojë biçikletën në rrugë publike. 2. Ndryshe nga dispozita e paragrafit 1. të këtij neni, në zonat e këmbësorëve, në zonën e trafikut të qetë, në zonën me kufizim të shpejtësisë në tridhjetë (30)km/h, në zonën e shkollës, në rrugët e pakategorizuara, biçikletën mund ta drejtojë edhe fëmija i cili i ka mbushur nëntë (9) vjet. 3. Në zonën e këmbësorëve dhe në zonën e trafikut të qetë biçikletën mund ta drejtojë fëmija më i ri se nëntë (9) vjeç nëse është nën mbikëqyrje të personit mbi gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, prindi ose kujdestari nëse biçiklisti vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Vendkalimi për biçiklistë

1. Në vendkalimin për biçiklistë, biçiklistit i ndalohet të hyjë ashpër para mjetit që vjen apo ta ngadalësojë e ta ndalojë biçikletën pa arsye. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i biçikletës i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Detyrimet e biçiklistit

1. Biçiklistit i lejohet shfrytëzimi i trotuarit ose shtegut për këmbësorë në raste të veçanta, kur personi kujdeset për fëmijën deri në moshën dhjetë (10) vjeçare që është duke drejtuar biçikletën. 2. Shoferi i biçikletës i cili e shfrytëzon trotuarin ose shtegun e këmbësorëve, duhet të drejtojë ngadalë, të ushtrojë kujdes të veçantë dhe t’u japë përparësi këmbësorëve. 3. Biçikleta duhet ta ketë të ndezur një dritë ngjyrë të bardhë në pjesën e përparme dhe një dritë ngjyrë të kuqe, katadiopter me materie retroreflektuese në pjesën e pasme gjatë drejtimit natën dhe gjatë drejtimit ditën kur dukshmëria është e vështirësuar. 4. Kur biçiklisti qarkullon në rrugë publike gjatë pashmërisë të zvogëluar, ai është i detyruar të ketë jelek reflektues, rroba reflektuese për biçiklistë apo ndonjë burim drite. 5. Biçiklisti më i ri se gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç duhet ta mbajë helmetën mbrojtëse gjatë drejtimit. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i biçikletës i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Kufizimi i drejtimit të biçikletës, mopedit, motoçikletës dhe triçikletës

1.Personit i cili drejton biçikletë, moped, motoçikletë dhe triçikletë i ndalohet: 1.1. të drejtojë pa e mbajtur timonin me dy duar, përveç në raste kur jep shenjë me dorë; 1.2. pa i mbajtur këmbët në pedale ose në mbështetëse të këmbëve; 1.3. të mbahet ose të tërhiqet nga mjete të tjera; 1.4. ta lëvizë mjetin krahas mjetit tjetër; 1.5. të bartë çfarëdo ngarkese nëse kështu pengohen apo rrezikohen pjesëmarrësit e tjerë në trafik; 1.6.të përdorë dëgjuese të pajisjeve audio, duke i vendosur në dy ose në një vesh; 1.7.të manovrojë me një rrotë. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, personi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Përdorimi i helmetës

1. Shoferi i cili drejton moped, motoçikletë, triçikletë a katërçikletë pa kabinë mbrojtëse, si dhe personat të cilët barten në këto mjete, duhet të mbajnë helmeta mbrojtëse përkatëse, të rregullta, dhe gjatë qarkullimit në rrugë t’i përdorin ato sipas udhëzimeve të prodhuesit të helmetës. 2. Shoferit të mjeteve nga paragrafi 1. të këtij neni nuk i lejohet të transportojë persona të cilët janë nën ndikim të alkoolit, të drogës ose të barnave që ndikojnë në aftësitë psikofizike, ose persona të cilët për ndonjë arsye tjetër nuk janë në gjendje t’i kontrollojë veprimet e veta. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi dhe personat të cilët barten në këto mjete nëse gjatë qarkullimit në rrugë nuk e bartin helmetën mbrojtëse ose nuk e përdorin atë sipas udhëzimeve të prodhuesit të helmetës mbrojtëse.

Dispozitat për lëvizje të këmbësorëve

1. Këmbësorit nuk i lejohet të lëvizë as të ndalet në rrugë. 2. Si rregull, këmbësorit nuk i lejohet të lëvizë e të ndalet as në ishuj të trafikut dhe të këmbësorëve, në kryqëzime, gjegjësisht në rrugë publike ku pengohen ose rrezikohen vetë ata dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik. 3. Në rrugën qarkulluese janë të ndaluara lojërat dhe lëvizja me pajise të ndryshme etj. 4. Iu ndalohet këmbësorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë ta shfrytëzojnë trotuarin në atë mënyrë që e pengojnë lëvizjen e lirë, si: qëndrimi ulur apo shtrirë në trotuar, shfrytëzimi i trotuarit për aktivitete të tjera përveçse për lëvizje të këmbësorëve. Përjashtim bëjnë vetëm rastet me leje paraprake nga organi kompetent. 5. Këmbësori është i detyruar që ta përdorë trotuarin ose shtegun për këmbësorë. 6. Nëse nuk ka trotuar ose shteg të këmbësorëve, ose nëse ai nuk mund të përdoret përkohësisht, këmbësori mund ta përdorë rrugën qarkulluese, në atë mënyrë që para se te hyjë në rrugë të vërtetohet se nuk e pengon trafikun, duke lëvizur sa më afër skajit të rrugës dhe, kur është e nevojshme, duke ua lëshuar rrugën mjeteve që vijnë. 7. Gjatë qarkullimit në rrugë publike, këmbësorët janë të obliguar të lëvizin njëri pas tjetrit, pëveç personit i cili e shoqëron fëmijën më të ri se shtatë (7) vjeç ose personit në përcjellje të personit me aftësi të kufizuara. 8. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, personi i cili vepron në kundërshtim me rregullat e paragrafit 1, 2, 3, 5, 6 dhe 7 të këtij neni. 9. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, personi i cili vepron në kundërshtim me rregullat e paragrafit 4. të këtij neni.

Lëvizje jashtë zonës urbane

1. Këmbësori i cili ec në rrugë jashtë zonës urbane duhet ta shfrytëzojë anën e majtë të rrugës në kah të lëvizjes dhe gjatë kohës së pashmërisë së zvogëluar ta mbajë ndonjë mjet ose pajisje reflektuese apo burim drite, si: jelek reflektues, rroba reflektuese, bateri e të ngjashme. 2. Ndryshe nga dispozita e paragrafit 1. të këtij neni, këmbësorit i lejohet lëvizja pranë skajit të djathtë të rrugës nëse lëvizja është më e sigurt për të, si: kthesë e padukshme, humnerë, vend i gërmuar, shembje gurësh apo të ngjashme 3. Në rrugë jashtë zonës urbane fëmija deri në moshën shtatë (7) vjeç lejohet ta shfrytëzojë rrugën vetëm nën mbikëqyrje të personit që është së paku i moshës dhjetë (10) vjeçe. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 1. dhe 2. të këtij neni. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, prindi ose kujdestari nëse fëmija vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 3. të këtij neni.

Kalimi i rrugës nga ana e këmbësorëve

1. Këmbësori gjatë kalimit të rrugës obligohet që të ketë kujdes të posaçëm dhe gjithherë ta shfrytëzojë vendkalimin e këmbësorëve atëherë kur ai ekziston. 2. Këmbësori është i detyruar ta kalojë rrugën qarkulluese, shiritin ose shtegun për biçikleta me kujdes të shtuar duke kaluar rrugës më të shkurtër dhe duke u vërtetuar para se ta fillojë kalimin e rrugës se këtë mund ta bëjë në mënyrë të sigurt. 3. Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Vendkalimi për këmbësorë

1. Në rrugë e cila ka vendkalim të këmbësorëve ose kalime të veçanta të ndërtuara për këmbësorë, këmbësori është i detyruar të lëvizë nëpër këto kalime, nëse ato nuk janë të larguara nga ai më shumë se pesëdhjetë (50) metra në zona urbane, përkatësisht njëqind (100) metra jashtë zonës urbane. 2. Kalimi i rrugës jashtë vendkalimit të këmbësorëve sipas paragrafit 1. të këtij neni lejohet me kusht që nuk e pengon qarkullimin e mjeteve. Këmbësori obligohet që t’u japë përparësi mjeteve dhe ta kalojë rrugën duke e shfrytëzuar rrugën më të shkurtër, nën kënd të drejtë me vijën e mesit të rrugës. 3. Brenda zonës urbane, në rrugën me dy shirita rrugorë të ndarë në mes veti fizikisht, këmbësori obligohet që ta shfrytëzojë vetëm vendkalimin e paraparë për këmbësorë. 4. Nëse vendkalimi i këmbësorëve gjendet në rrugë me dy shirita rrugorë, kalimi i secilit shirit rrugor konsiderohet si vendkalim i ndarë. Kjo zbatohet gjithashtu edhe në vendkalimet e këmbësorëve, në vendet ku qarkullimi i mjeteve është i ndarë me anë të një pjese të ngritur, ose me ndonjë pajisje tjetër teknike të trafikut. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Ndalimi ose kufizimi i lëvizjes së këmbësorit

1. Këmbësorit i ndalohet: 1.1. të hyjë në rrugë drejtpërdrejt para mjetit në lëvizje, duke përfshirë këtu edhe hyrjen në vendkalim të këmbësorëve, të afrohet prapa mjetit ose prapa ndonjë pengese tjetër që e kufizon fushëpamjen e rrugës; 1.2. ta kalojë rrugën në vendin ku fushëpamja e rrugës është e kufizuar; 1.3. ta ngadalësojë shpejtësinë e të ecurit ose të ndalet pa arsye gjatë kalimit të rrugës apo të binarëve hekurudhorë; 1.4. të lëvizë ose të qëndrojë në rrugë; 1.5. të vrapojë pa arsye; 1.6. të ecë përgjatë vijës hekurudhore; 1.7. të hyjë brenda vijës së hekurudhës kur mbrojtëset apo gjysmëmbrojtëset janë të lëshuara poshtë ose kur ulja e tyre, përkatësisht ngritja e tyre nuk ka përfunduar; 1.8. ta kalojë rrugën në vendin ku mekanizmat ose pengesat për siguri e ndajnë shtegun e këmbësorëve ose trotuarin nga rruga, pa marrë parasysh në cilën anë janë të vendosura ato; 1.9. të tërhiqet apo të mbahet për mjetesh me rollera, ski, saja e ngjashme. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Sjellja e këmbësorëve në vendkalim

1. Në vendkalimin e shënuar për këmbësorë, përkatësisht në kryqëzimin në të cilin qarkullimi i këmbësorëve rregullohet me semaforë për këmbësorë, këmbësori është i detyruar të veprojë sipas atyre shenjave. 2. Në vendkalimin e shënuar për këmbësorë në të cilin qarkullimi i këmbësorëve rregullohet me semaforë për këmbësorë ose me shenja të personit të autorizuar, këmbësori mund ta kalojë rrugën vetëm kur me shenjën e dhënë i lejohet kalimi nëpër rrugë. 3. Në vendkalimin e shënuar për këmbësorë në të cilin qarkullimi i këmbësorëve nuk rregullohet me semaforë as me shenja të personit të autorizuar, këmbësori, edhe pse ka përparësi kalimi, duhet t’i kushtojë kujdes largësisë dhe shpejtësisë së mjetit i cili i afrohet. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Kolona e organizuar e këmbësorëve

1. Kolona e organizuar e këmbësorëve duhet të udhëhiqet nga personi i moshës mbi tetëmbëdhjetë (18) vjeç. 2. Kolonës së organizuar të këmbësorëve i lejohet të lëvizë vetëm në anën e djathtë të rrugës në kah të lëvizjes. 3. Gjatësia e kolonës së organizuar të këmbësorëve nuk mund të jetë më e gjatë se pesëdhjetë (50) metra. Përjashtim nga kjo dispozitë bën vetëm në rastet e kortezhit funeral, në rastet kur kjo bëhet me leje të veçantë, apo për njësitë policore ose ushtarake; 4. Distanca ndërmjet kolonave të organizuara të këmbësorëve nuk mund të jetë më e vogël se njëqind (100) metra. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëdhjetë (50) eurosh, udhëheqësi i kolonës së këmbësorëve i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Detyrimet e shoferëve ndaj këmbësorëve

1. Gjatë afrimit të vendkalimit për këmbësorë, shoferi i mjetit duhet të ketë kujdes të shtuar dhe t’i japë përparësi këmbësorit i cili është në vendkalim ose hyn në të. 2. Në qoftë se trafiku në vendkalimin e shënuar për këmbësorë është i rregulluar me semaforë ose me shenja të personit të autorizuar, shoferi i mjetit është i detyruar ta ndalë mjetin e vet para vendkalimit të shënuar për këmbësorë kur me shenjën e dhënë i ndalohet kalimi. 3. Nëse vendkalimi i shënuar për këmbësorë nga paragrafi 2. i këtij neni gjendet në hyrje të rrugës, shoferi i cili lëviz në atë rrugë është i detyruar të lëvizë me shpejtësi të zvogëluar dhe t’i lëshojë të kalojnë këmbësorët të cilët gjenden ose hyjnë në vendkalim dhe, sipas nevojës, ta ndalë mjetin e vet për t’i lëshuar këmbësorët. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 2. të këtij neni. Atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh, si dhe tri (3) pikë negative. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafëve 1. ose 3. të këtij neni.

Trafiku në autoudhë dhe motoudhë

1. Ndalohet lëvizja nëpër autoudhë e këmbësorëve, e bagëtisë, e mjeteve pa motorë, e traktorëve, e mopedëve dhe e makinave të punës. 2. Në autoudhë ndalohet edhe lëvizja e mjeteve me veprim motorik, e automjeteve të cilat për nga vetitë e konstruksionit nuk mund të lëvizin me shpejtësi prej së paku gjashtëdhjetë (60) km/h. Përjashtim nga kjo dispozitë bëjnë mjetet nën përcjelle, mjetet me përparësi kalimi, mjetet e FSK-së, mjetet e institucioneve të sigurisë, mjetet të cilat me leje speciale i tërheqin mjetet në defekt dhe mjetet e tjera me leje speciale. 3. Shoferi i automjetit, i cili për shkak të avarisë ose për shkaqe të tjera është i detyruar ta ndalë automjetin në autoudhë, duhet ta ndalë automjetin në shiritin e emergjencës dhe duhet t’i ndërmarrë masat në mënyrë që sa më parë ta largojë mjetin nga shiriti i trafikut. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Kushte për lëvizje në autoudhë

1. Ndalohet hyrja në autoudhë e automjetit që është duke e tërhequr mjetin në defekt. 2. Ne autoudhë automjetet duhet të lëvizin në shiritin e djathtë të skajshëm të trafikut i cili nuk është i zënë me automjete që lëvizin në kolonë. 3. Në autoudhë lejohet ndërrimi i shiritit të trafikut me qëllim të lëvizjes më të shpejtë vetëm duke kaluar me automjet në shiritin e majtë të trafikut. 4. Në autoudhë shoferit nuk i lejohet të kalojë me mjet prej një shiriti në një shirit tjetër me lëvizje zigzage, të tejkalojë në shiritin për ndalje emergjente, të drejtojë në distancë të vogël pas mjetit që lëviz para tij duke nxituar me automjet, t’i ndezë të gjithë treguesit e drejtimit, ta përdorë borinë, ose të ndërmarrë çfarëdo veprimi tjetër me të cilin do t’i rrezikonte pjesëmarrësit e tjerë në trafik. 5. Shoferit nuk i lejohet ta drejtojë automjetin në kahje të kundërt ose të ndaluar në autoudhë. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. 7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej treqind (300) euro euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 5. të këtij neni. Atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej një (1) viti dhe i shqiptohen tri (3) pikë negative.

Drejtimi në autoudhë me shumë shirita të trafikut

1. Në autoudhë me tre (3) ose me tepër shirita te trafikut që shërben për lëvizje të automjeteve në një drejtim, shoferi i automjetit me masën me të madhe të lejuar se pesëmijë (5000) kg, ose te automjeteve me rimorkio me gjatësi mbi shtatë (7) metra mund të shfrytëzoj vetëm dy (2) shirita të trafikut që ndodhën pranë skajit të djathtë të sipërfaqes së rrugës. 2. Për kundërvajtje, dënohet me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) euro, shoferi që vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Hyrja në autoudhë

1. Shoferi i cili hyn me automjet në autoudhë duhet: 1.1. ta shfrytëzojë shiritin për nxitim, kur ai shirit ekziston, duke dhënë shenjë përkatëse me tregues të drejtimit dhe duke hyrë në rrjedhën e trafikut në atë mënyrë që të mos e rrezikojë trafikun e automjeteve që lëvizin nëpër autoudhë; 1.2. t’i japë përparësi kalimi automjetit tjetër i cili lëviz nëpër autoudhë, nëse nuk ekziston shirit i posaçëm për nxitim. 2. Shoferi i cili me mjet lëviz në autoudhë duhet t’ia lehtësojë hyrjen në autoudhë mjetit tjetër, duke e lënë të lirë shiritin e djathtë të skajshëm të trafikut dhe duke lëvizur në shiritin majtas prej tij, nëse nuk pengohet lëvizja e mjeteve të tjera në autoudhë. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Dalja me automjet nga autoudha

1. Shoferi i cili del nga autoudha duhet ta marrë pozitën me automjet në shiritin e djathtë të skajshëm të trafikut dhe të kalojë në fillim të shiritit për ngadalësim, në qoftë se një shirit i tillë ekziston në autoudhë. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Bllokimi i trafikut në autoudhë

1. Në rast të bllokimit të trafikut në autoudhë, automjetet duhet t’ua mundësojnë lëvizjen mjeteve me përparësi kalimi dhe nën përcjellje, duke u skajuar në të djathtë ose në të majtë të shiritit të trafikut për të krijuar hapësirë të lirë kalimi. 2. Ndalohet ndalja ose parkimi i automjetit në autoudhë, përveç në ato vende ku është e shënuar për këtë qëllim. 3. Nëse ndalja e automjetit bëhet për shkak të një problemi teknik ose për arsye të tjera, shoferi duhet ta largojë automjetin nga rruga dhe t’i paralajmërojë pjesëmarrësit e tjerë në trafik. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Trafiku në tunel

1. Shoferit që me mjet lëviz nëpër tunel nuk i lejohet ta ndalë ose ta parkojë mjetin, të bëjë kthim gjysmërrethor ose të lëvizë prapa. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni dhe të njëjtit i shqiptohet një (1) pikë negative.

Përdorimi i dritave gjatë ngasjes në tunel

1. Shoferi i mjetit me veprim motorik gjatë drejtimit nëpër tunel duhet t’i ketë të ndezura dritat e shkurta për ndriçim të rrugës. 2. Për kundërvajtje, dënohet me gjobë prej dyzetë (40) euro, shoferi që vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Automjetet nën përcjellje

1. Automjetet nën përcjellje, duke pasur kujdes për sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik, e kanë të drejtën e përparësisë së kalimit kundrejt të gjitha mjeteve të tjera, përveç në kryqëzim ku trafiku rregullohet nga personi i autorizuar. 2. Personi i autorizuar që e rregullon trafikun rrugor është i detyruar të krijojë kushte në mënyrë që mjetet me përparësi kalimi të kalojnë pa pengesa. 3. Automjeti nën përcjellje ka të drejtë të mos i zbatojë dispozitat e trafikut, kur ai mjet jep sinjale me dritë të kuqe dhe të kaltër dhe sinjale zëri me intensitet të ndryshueshëm, përveç në rastet kur me një veprim të tillë do të rrezikoheshin pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Sjellja e shoferit ndaj mjeteve në përcjellje

1. Shoferi i mjetit i cili e has në rrugë mjetin ose kolonën e mjeteve nën përcjelle, si dhe shoferi të cilin e arrin mjeti nën përcjelle ose kolona e mjeteve nën përcjelle, është i detyruar ta ndalë mjetin e vet, që natën në vend të dritave të gjata t’i përdorë dritat e shkurtra për ndriçim të rrugës, që t’iu përmbahet në mënyrë të përpiktë urdhrave që ia japin personat që i përcjellin mjetet dhe ta vazhdojë lëvizjen vetëm pasi të kalojnë të gjitha mjetet nën përcjelle. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Sjellja e këmbësorit ndaj mjeteve në përcjellje

1. Për ta bërë të mundshëm kalimin e papenguar të mjeteve nën përcjelle, këmbësorët janë të detyruar të largohen nga rruga përderisa të mos kalojnë këto mjete. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Përdorimi i rripit të sigurisë

1. Në automjetin për udhëtarë dhe në mjetin transportues shoferi dhe të gjithë personat të cilët gjenden në mjet duhet t’i përdorin rripat e sigurisë, siç e parasheh prodhuesi i atij automjeti. 2. Nëse personi i mitur i cili transportohet në mjet nuk e përdor rripin e sigurisë, përgjegjësia bie mbi shoferin e mjetit, ndërsa nëse personi i moshës madhore nuk e përdor rripin e sigurisë, përgjegjësinë për këtë e mban vetë personi. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili bart persona të mitur, respektivisht personi i moshës madhore, i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Personat të cilët lirohen nga përdorimi i rripit të sigurisë

1. Detyrimi për ta përdorur rripin e sigurisë nuk zbatohet për këta persona: 1.1. për personin që posedon certifikatë mjekësore me të cilën vërtetohet se i shfaqen efekte anësore negative po qe se e përdor rripin e sigurisë; 1.2. për gruan shtatzënë; 1.3. për policin apo personelin tjetër të autorizuar gjatë transportimit të personave të arrestuar; 1.4. për personat e autorizuar zyrtarë që ofrojnë mbrojtje të afërt të personave; 1.5. për personelin e shërbimit mjekësor gjatë ndihmës së parë dhe gjatë aktiviteteve e detyrueshme; 1.6. për personelin e sigurimit që është duke e bartur një shumë të konsiderueshme të parave të gatshme; 1.7. për personin e sëmurë që bartet në lesë apo në ulëse të invalidëve

Ulësja e sigurisë për fëmijë

1. Fëmijët nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeç dhe me lartësi nën njëqind e pesëdhjetë (150) cm të cilët transportohen në mjetet nga neni 187 i këtij ligji të cilat kanë të instaluar rripa të sigurisë, duhet të jenë të siguruar tërësisht apo pjesërisht me sistem të sigurt, d.m.th. me ulëse të sigurisë për fëmijë, të përshtatur për masën dhe lartësisë së fëmijëve. 2. Në mjetet nga paragrafi 1. i këtij neni të cilat nuk kanë të instaluar sistem të sigurisë, d.m.th. ulëse të sigurisë për fëmijë, nuk lejohet të transportohen fëmijë më të rinj se tre (3) vjeç. 3. Në mjetet nga paragrafi 1. i këtij neni nuk lejohet të ulen në ulëset e para fëmijë nga tre (3) e më shumë vjeç dhe me lartësi nën njëqind e pesëdhjetë (150) cm. 4. Nëse fëmija është nën përkujdese të personit të moshës madhore që nuk është i ulur në ulëset e përparme të mjetit, përkatësisht nëse mbahet në prehër apo në duar të këtij personi, lirohet nga detyrimi për ta përdorur ulësen e sigurisë për fëmijë. 5. Sistemi i sigurisë për lidhje të fëmijëve, d.m.th. ulësja e sigurisë për fëmijë, duhet të jetë në përputhje me direktivat e BE-së, të cilat transpozohen nga Ministria me akt nënligjor 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. Atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muaj.

Dokumentet gjatë drejtimit të mjetit

1. Shoferi gjatë drejtimit të mjetit duhet t’i mbajë me vete dokumentet si vijon: 1.1. patentën e shoferit; 1.2. certifikatën e regjistrimit të automjetit; 1.3. autorizimin, nëse mjeti shfrytëzohet për drejtim jashtë vendit. Autorizimi duhet të nxirret nga organi kompetent i autorizuar, nëse shoferi nuk është pronar i mjetit ose pronari i mjetit nuk është në mjet; 1.4. urdhëresën e punës ose autorizimin, të lëshuara nga institucionet publike apo private për drejtim të mjetit brenda vendit, nëse mjeti përdoret si mjet komercial, si: mjetet publike dhe private të kompanive, të ndërmarrjeve, të firmave, taksitë, autoshkollat, autobusët, mjetet transportuese apo të ngjashme; 1.5. policën e sigurimit; 1.6. raportin evropian të aksidenteve; 1.7. dokumentet për kualifikim të shoferëve, siç parashihet me ligj; 1.8. certifikatën e vlefshme shëndetësore, kur me ligj parashikohet posedimi i saj. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, shoferi i mjetit i cili i posedon dokumentet valide të parapara me këtë nen, por nuk i ka me vete kur i kërkohet nga personi i autorizuar. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me rregullat e nënparagrafëve 1.3 ose 1.4 të paragrafit 1. të këtij neni. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëdhjetë (50) eurosh, shoferi i mjetit i cili nuk e posedon me vete raportin evropian të aksidenteve, siç parashihet në nënparagrafin 1.6 të paragrafit 1. të këtij neni. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind (500) deri në njëmijë e pesëqind (1500) euro, institucioni i autorizuar i cili me rastin e sigurimit të mjetit, pronarin e mjetit nuk e pajis me raportin evropian të aksidenteve.

Detyrimet e shoferit

1. Shoferit i ndalohet: 1.1. të largohet nga mjeti kur motori është i ndezur; 1.2. ta shfrytëzojë mjetin në atë mënyrë që të lëshojë tym të tepruar duke e ndotur ambientin apo që bën zhurmë më shumë sesa është e paraparë me rregulla; 1.3. ta lërë motorin të ndezur gjatë parkimit brenda zonës së banuar. Kjo rregull nuk zbatohet për mjetet për mirëmbajtje të rrugëve, për mjetet me përparësi kalimi dhe mjetet nën përcjellje, të përcaktuara me dispozitat e neneve 165 e 168 të këtij ligji; 1.4. ta tërheqë prapa mjetit personin në ski, në sajë, në roleta, në dërrasën për skijim apo në pajisje të ngjashme; 1.5. ta përdorë mjetin me goma me elemente të përhershme kundër rrëshqitjes; 1.6. t’i përdorë zinxhirët e borës kur asnjë pjesë e rrugës nuk është e mbuluar nga bora ose akulli; 1.7. ta hapë derën e mjetit gjatë drejtimit të mjetit. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. 3. Shoferit të veturës nuk i lejohet që në ulësen e përparme të bart: 3.1 personin i cili është nën ndikim të alkoolit ose drogave, 3.2 fëmijën më të ri se 12 vjet, Ndërsa në ulëset e pasme fëmijën më të ri se 5 vjet, përveç kur në ulësen e pasme e ka të përforcuar ulësen e fëmijës, në të cilën fëmija duhet të jetë i lidhur ose nën mbikëqyrje të personit mbi 18 vjet. 4. Detyrimi për ta përdorur rripin e sigurisë nuk zbatohet për këta persona: 4.1 për personin që posedon çertifikatë mjekësore me të cilën vërtetohet se i shfaqen efekte anësore negative po qe se e përdor rripin e sigurisë, 4.2 për gruan shtatzënë, 4.3 për policin apo personelin tjetër të autorizuar gjatë transportimit të personave të arrestuar, 4.4 për personat e autorizuar zyrtarë që ofrojnë mbrojtje të afërt të personave, 4.5 për personelin e shërbimit mjekësor gjatë ndihmës së parë dhe gjatë aktiviteteve të detyrueshme, 4.6 për personelin e sigurimit që është duke e bartur një shumë të konsiderueshme të parave të gatshme, 4.7 për personin e sëmurë që bartet në lesë apo në ulëse të invalidëve.

Pajisjet rezervë dhe shtesë të automjetit

1. Automjeti i udhëtarëve, kamioni dhe autobusi gjatë qarkullimit të tyre në trafikun rrugor duhet t’i posedojnë pajisjet rezervë dhe shtesë: poçat rezervë, kutinë e ndihmës së parë, trekëndëshin i sigurisë, pajisjen për tërheqjeje të mjetit në defekt, jelekun reflektues, ndërsa aparatin për fikje te zjarrit në rastet kur përdorimi i tij parashihet me ligj. Të gjitha këto pajisje duhet të jenë të kompletuara dhe me afat të përdorimit. 2. Thellësia e pneumatikëve duhet t’i përmbushë kriteret e përcaktuara me akt përkatës nënligjor të nxjerrë nga Ministria. 3. Mjetet e transportit të ngarkesës dhe të udhëtarëve me masën më të madhe të lejuar mbi pesëmijë (5000) kg, duhet te jenë te pajisura me tahograf ose me sistem të mbikëqyrjes, si dhe me pykën e sigurimit të moslëvizjes. 4. Koha e llogaritjes së drejtimit për mjetet nga paragrafi 3 i këtij neni fillon nga momenti i fillimit të drejtimit të mjetit. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitën e paragrafit 1. të këtij neni. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitën e paragrafit 2. të këtij neni. 7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafëve 3. ose 4. të këtij neni.

Detyrat në rast aksidenti të trafikut

1. Personi i cili gjendet ose has në vendngjarje të aksidentit të trafikut në të cilin ka persona të lënduar, duke i pasur parasysh njohuritë, aftësitë dhe mundësitë e veta, duhet t’iu japë ndihmë personave të lënduar në aksident dhe, sipas mundësisë, t’i bartë ata deri te institucioni më i afërm shëndetësor, si dhe t’i marrë të gjitha masat në mënyrë që të parandaloj rreziqe të reja, aq sa është kjo e mundur. 2. Personi nga paragrafi 1 i këtij neni e ka për detyrë që ta informojë menjëherë Policinë dhe institucionet shëndetësore. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëdhjetë (50) eurosh, personi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Sjella e pjesëmarrësit në aksident të trafikut

1. Shoferi, përkatësisht pjesëmarrësi tjetër i përfshirë në aksident të trafikut në të cilin dikush e ka humbur jetën, ose është lënduar, ose është shkaktuar dëm i madh material, e ka për detyrë: 1.1. ta ndalë mjetin, nëse është me mjet, dhe të qëndrojë në vendin e aksidentit të trafikut. Përjashtim bëjnë rastet kur pjesëmarrësi në aksident iu ofron ndihmë personave të lënduar, ose në qoftë se vetë atij i nevojitet ndihma mjekësore, ose nëse është larguar për ta njoftuar policinë, me kusht që të kthehet në vendin e aksidentit sapo të jetë kjo e mundur; 1.2. të ndërmarrë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që të mënjanohen rreziqe të reja, të mundësohet rrjedha normale e trafikut, të bëhen përpjekje që të mos ndërrohet gjendja në vendin e aksidentit dhe të ruhen gjurmët ekzistuese, me kushtin që ndërmarrja e atyre masave të mos e rrezikojë sigurinë e trafikut; 1.3. ta njoftojë Policinë për aksidentin e trafikut, dhe ta presë ardhjen e personave të autorizuar të cilët e bëjnë ekzaminimin e vendit të aksidentit. 2. Personi i cili është njoftuar për aksidentin e trafikut në të cilin është lënduar ndonjë person, e ka për detyrë që t’i njoftojë menjëherë institucionet shëndetësore dhe Policinë. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind (500) euro euro, shoferi i cili është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në aksident dhe i cili largohet me mjet nga vendi i aksidentit. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative.

Aksidenti me dëme të vogla materiale

1. Shoferët - pjesëmarrës në aksident të trafikut në të cilin është shkaktuar dëm i vogël material, janë të obliguar që menjëherë t’i largojnë mjetet nga shiriti rrugor, që ta mundësojnë qarkullimin e papenguar të trafikut dhe ta plotësojnë e ta nënshkruajnë raportin evropian të aksidenteve. 2. Shoferët pjesëmarrës në aksident trafiku e plotësojnë dhe e nënshkruajnë raportin evropian të aksidenteve sipas dispozitës nga paragrafi 1 i këtij neni kur pajtohen për mënyrën se si ka ndodhur aksidenti. 3. Raporti evropian i aksidenteve nuk plotësohet dhe nuk nënshkruhet në rastin e aksidentit në të cilin ka persona të lënduar ose të vdekur. 4. Policia është e obliguar të dalë në vendin e aksidentit të trafikut në të cilin ka ndodhur dëm i vogël material, nëse atë e kërkon njëri nga pjesëmarrësit në trafik dhe atë kur: 4.1. njëri nga mjetet nuk ka targa të regjistrimit ose i njëjti nuk është i siguruar; 4.2. njëri nga mjetet ka targa të huaja të regjistrimit; 4.3. njëri nga shoferët është dukshëm nën ndikim të alkoolit, të drogës ose të barnave që ndikojnë në aftësitë psikofizike; 4.4. njëri nga shoferët nuk posedon patentë shoferi; 4.5. shoferët nuk mund t’i harmonizojnë qëndrimet lidhur me mënyrën dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti i trafikut; 4.6. njëri nga shoferët refuzon që t’i ofrojë të dhënat e veta personale, përkatësisht të dhënat për mjetin; 4.7. njëri nga shoferët e ka lëshuar vendin e aksidentit të trafikut; ose 4.8. në qoftë se shoferi merr pjesë i vetëm në aksident trafiku. 5. Në rast të aksidentit të trafikut me dëm të vogël material, kur në vendin e aksidentit nuk ndodhet pronari i mjetit ose pronari i një sendi tjetër të dëmtuar, shoferi e ka për detyrë që pronarit të mjetit ose të një sendi tjetër të dëmtuar t’ia lërë të dhënat për veten dhe për mjetin me të cilin e ka shkaktuar aksidentin e trafikut. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafëve 1. dhe 2. të këtij neni. 7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 5. të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muaj, si dhe i shqiptohet një (1) pikë negative.

Dëshmitarët e aksidentit

1. Shoferi dhe secili pjesëmarrës tjetër, i cili ka marrë pjesë në aksident të trafikut, në të cilin ka të vdekur ose të lënduar, ka të drejtë t’i kërkojë të dhënat personale dhe adresën nga personat e tjerë të cilët kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur aksidenti. 2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) eurosh, personi i cili e kundërshton plotësimin e dispozitës së këtij neni.

Obligimet e shoferit ndaj të lënduarve në aksident

1. Shoferi i cili ka qenë ose has në vendin e aksidentit të trafikut, por i cili nuk është i përfshirë në aksident, e ka për detyrë që me kërkesë të personit të autorizuar ta dërgojë personin që është lënduar në aksident të trafikut deri në institucionin më të afërt shëndetësor. 2. Shoferi e ka për detyrë të veprojë sipas dispozitës së paragrafit 1. të këtij neni edhe para se të vijë personi i autorizuar, përveç në qoftë se ka ndodhur aksidenti në vendin në të cilin mund të pritet ardhja e shpejtë e mjetit të ndihmës së shpejtë, apo në qoftë se shoferi konstaton se me mënyrën joprofesionale dhe jopërkatëse gjatë transportit gjendja e personit të lënduar mund të përkeqësohet. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Largimi i sendeve nga vendi i aksidentit

1. Në qoftë se mjeti është paaftësuar për lëvizje të mëtejme në rrugë për shkak të aksidentit në trafik, shoferi apo pronari i mjetit e ka për detyrë që, pasi të urdhërohet nga personi i autorizuar, ta mënjanojë nga rruga mjetin, ngarkesën, sendet ose ndonjë material tjetër të derdhur në rrugë. 2. Në qoftë se shoferi apo pronari i mjetit nuk është në gjendje të veprojë sipas paragrafit 1. të këtij neni, personi i autorizuar do ta urdhërojë kontraktuesin që mjetin, ngarkesën, sendet apo ndonjë material tjetër të derdhur, ta zhvendosë nga rruga në një vend të sigurt. 3. Kontraktuesi, e ka për detyrë që t’i ndërmarrë urgjentisht të gjitha masat e nevojshme për zhvendosjen dhe ruajtjen e mjeteve me ngarkesë, sendeve apo materialit tjetër të derdhur në rrugë dhe ta lirojë rrugën. 4. Në qoftë se kontraktuesi nuk vepron sipas dispozitës të paragrafit 3. të këtij neni, personi i autorizuar do t’i ndërmarrë të gjitha masat përkatëse për ta mundësuar rrjedhën normale te trafikut. 5. Shpenzimet e zhvendosjes e të ruajtjes së mjeteve, të ngarkesave, të sendeve ose të një materiali tjetër, si dhe ndërmarrjen e masave të tjera përkatëse nga paragrafi 4. i këtij neni i mbulon kontraktuesi. Kontraktuesi ka të drejtë të kompensohet prej atij që e ka shkaktuar aksidentin. "6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, personi i cili vepron në kundërshtim me dispozitën e paragrafit 1. të këtij neni. 7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind (500) deri një mijë e pesëqind (1500) euro, kontraktuesi i cili vepron në kundërshtim me dispozitën e paragrafit 3. të këtij neni. "

Sezoni dimëror

1. Gjatë sezonit dimëror, nga 15 nëntori deri më 15 mars, automjetet dhe bashkësitë e mjeteve që marrin pjesë në trafikun rrugor duhet t’i kenë pajisjet dimërore. 2. Gjatë kushteve dimërore ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe i bashkësisë së mjeteve të cilat nuk i kanë të vendosura pajisjet dimërore. 3. Kushte dimërore nga paragrafi 2. i këtij neni janë kur rruga është e mbuluar me borë ose kur në rrugë ka akull. 4. Gjatë kushteve dimërore lejohet lëvizja e sajave dhe e të gjitha mjeteve të pajisura me rrëshqitëse. Sajat duhet t’i plotësojnë këto kushte: 4.1. të jenë të pajisura me sistem frenimi dhe të konstruktuara në atë mënyrë që mund të manovrohen lehtë; 4.2. gjatë kohës së dukshmërisë së zvogëluar duhet t’i kenë dy drita të bardha në pjesën e përparme të mjetit dhe dy drita të kuqe në pjesën e pasme të mjetit, si dhe një sinjal reflektues me ngjyrë portokalli në çdo anë. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafëve 1. ose 2. të këtij neni. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi i përcaktuar në paragrafin 5. të këtij neni. 7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, personi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4. të këtij neni.

Mbrojtja e ambientit

1. Pjesëmarrësve në trafik nuk iu lejohet të marrin veprime që i shkaktojnë ose mund t’i shkaktojnë dëm ambientit. 2. Me mjet nuk lejohet që të shkaktohet zhurmë e panevojshme dhe jashtë normave të parapara. 3. Shoferi i mjetit me veprim motorik është i detyruar ta fikë motorin në këto raste: 3.1. me kërkesë të personit të autorizuar; 3.2. kur parashihet me rregulla të trafikut; 3.3. kur mjeti me veprim motorik ndalet në tunel më shumë se një (1) minutë. 4. Pjesëmarrësve në trafik nuk iu lejohet të hedhin në rrugë ose pranë saj materie, mbeturina e të ngjashme, me të cilat rrezikohet jeta dhe shëndeti i njerëzve e i kafshëve, dëmtohen bimët ose ndotet ambienti. 5. Ministria apo Komuna, me qëllim të mbrojtjes së ambientit mund ta ndalojnë ose ta kufizojnë qarkullimin në rrugët që i kanë nën administrim të tyre, për lloje apo kategori caktuara të mjetit, apo për të gjitha mjetet. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzet (20) eurosh, pjesëmarrësi në trafik i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Kushtet për drejtimin e mjetit

1. Mjetin me veprim motorik në trafikun rrugor mund ta drejtojë në mënyrë të pavarur vetëm personi i cili posedon patentë shoferi të vlefshme vendore ose të një vendi të huaj. 2. Shoferi ka të drejtë t’i drejtojë vetëm ato kategori të mjeteve të cilat i ka të shënuara në patentën e vet të shoferit. 3. Shoferi gjatë kohës së drejtimit të mjetit me veprim motorik duhet t’i shfrytëzojë mjetet ndihmëse të cilat i ka të shënuara në patentën e vet të shoferit. 4. Shoferit të mjetit me veprim motorik gjatë kohës së drejtimit nuk i lejohet përdorimi i telefonit të dorës – mobil, as i pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit. Këto pajisje mund të shfrytëzohen gjatë drejtimit të mjetit nëse përdorimi i tyre bëhet pa i mbajtur me dorë. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind (500) deri në një mijë e pesëqind (1500) euro, shoferi i cili e drejton mjetin me veprim motorik pa e pasur të drejtën për ta drejtuar mjetin: kur nuk ka patentë shoferi të vlefshme, ose kur e ka të ndaluar drejtimin e mjetit, ose kur nuk e ka patentë shoferin për kategorinë përkatëse. Përveç gjobës, atij i shqiptohen edhe tri (3) pikë negative. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafëve 3., 4. të këtij neni.

Kushtet psikofizike për drejtim të mjetit

1. Shoferi i cili e drejton mjetin në trafikun rrugor duhet të jetë i aftë në pikëpamje fizike dhe psikike për ta drejtuar mjetin dhe për këtë të ketë njohuri dhe shkathtësi të nevojshme. 2. Ndalohet ta drejtojë mjetin shoferi që është i lodhur, i sëmurë ose që ndodhet në gjendje të tillë psikike saqë është i paaftë për ta drejtuar mjetin në mënyrë të sigurt, si dhe shoferi që është nën ndikim të narkotikëve, barnave dhe substancave në udhëzimin e të cilave është e shënuar se ndalohet përdorimi i tyre para ose gjatë kohës së drejtimit të mjetit. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. Atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muajsh, si dhe dy (2) pikë negative.

Ndalimi i përdorimit të alkoolit

1. Shoferit të mjetit të kategorisë C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D ose DE, instruktorit të shoferëve, shoferit të ri dhe fillestar, si dhe shoferit të kategorisë B kur të drejtuarit e mjetit e ka profesion themelor, si: taksist, shofer i ndihmës së shpejtë, shofer në institucione shtetërore qendrore dhe lokale, në ndërmarrje apo të ngjashme, nuk i lejohet ta drejtojë mjetin në trafikun rrugor nëse është nën ndikim të alkoolit. 2. Shoferit të mjeteve të kategorisë A1, A2, A, B, BE, T, L ose AM nuk i lejohet ta drejtojë mjetin në trafikun rrugor nëse në gjak ka alkool mbi 0,5 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë njëqind e pesëdhjetë (150) euro, shoferi dhe instruktori i shoferëve sipas dispozitës së paragrafit 1. të këtij neni nëse në organizëm ka alkool deri në 0,50 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) deri në gjashtë (6) muaj, si dhe një (1) pikë negative. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyqind (200) euro, shoferi dhe instruktori i shoferëve i paraparë sipas dispozitave të këtij neni nëse në organizëm ka alkool mbi 0,50 deri në 1,00 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, si dhe dy (2) pikë negative. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej treqind (300) euro euro, shoferi dhe instruktori i shoferëve i paraparë sipas dispozitave të këtij neni nëse në organizëm ka alkool mbi 1,00 deri 1,50 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej nëntë (9) muaj, si dhe dy (2) pikë negative. 6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej pesëqind (500) euro euro, shoferi dhe instruktori i shoferëve i paraparë sipas dispozitave të këtij neni nëse në organizëm ka alkool mbi 1,50 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej një (1) viti, si dhe tri (3) pikë negative. 7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, biçiklisti dhe drejtuesi i qerres nëse në organizëm ka alkool mbi 0,50 g/kg, respektivisht me sasi përkatëse në miligram për litër të ajrit të nxjerrë.

Kufizimet për shoferin e ri dhe fillestar

1. Shoferit të ri dhe fillestar i ndalohet ta drejtojë mjetin në autoudhë me shpejtësi më të madhe se njëqind e dhjetë (110) km/h, në motoudhë me shpejtësi më të madhe se tetëdhjetë (80) km/h, në rrugët e tjera me shpejtësi më të madhe se shtatëdhjetë (70) km/h, mopedin me shpejtësi më të madhe se dyzet (40) km/h, si dhe ta drejtojë mjetin me të cilin kryhet transport i organizuar për fëmijë. 2. Shoferi i ri dhe fillestar obligohet që ta vendosë shenjën dalluese në automjet. 3. Ministria me akt nënligjor e përcakton formën dhe përmbajtjen e shenjës dalluese, si dhe mënyrën e vendosjes së saj në automjet. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej (200) deri në gjashtëqind (600) euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) muaj, si dhe tri (3) pikë negative. 5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej gjashtëdhjetë (60) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 2. të këtij neni.

Kontrolli shëndetësor

1.Shoferi duhet t’i nënshtrohet kontrollit shëndetësor. Kontrolli shëndetësor mund të jetë i rregullt dhe i jashtëzakonshëm. 2. Kontrollit të rregullt shëndetësor shoferi duhet t’i nënshtrohet sipas rregullave që parashihen në Ligjin për patentë shoferi.

Kontrolli i jashtëzakonshëm shëndetësor

1. Shoferi tek i cili dyshohet se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk është më në gjendje ta drejtojë mjetin në mënyrë të sigurt dërgohet në kontroll të jashtëzakonshëm shëndetësor. 2. Në kontroll të jashtëzakonshëm shëndetësor dërgohet shoferi dhe instruktori i shoferëve tek i cili është konstatuar përmbajtja e alkoolit në organizëm më tepër se 1,50 g/kg, ose që është konstatuar përmbajtja e drogës ose e barnave që ndikojnë në aftësitë psikofizike në organizëm, si dhe shoferi dhe instruktori i shoferëve i cili refuzon t’i nënshtrohet ekzaminimit se a ka në organizim alkool, droga ose barna që ndikojnë në aftësitë psikofizike dhe në aftësitë e drejtimit të mjetit. 3. Kërkesë për kontroll të jashtëzakonshëm shëndetësor të shoferit mund të parashtrojë Policia, inspektorati përkatës i transportit, prokuroria, gjykata dhe personi juridik apo fizik në kompaninë në të cilën është i punësuar shoferi. 4. Në rast të refuzimit për kontroll të jashtëzakonshëm shëndetësor, në kontroll shoferin e dërgon Policia. 5. Shpenzimet e kontrollit të jashtëzakonshëm shëndetësor i mbulon shoferi i cili dërgohet në kontroll, nëse konstatohet se ai nuk është i aftë ose i është kufizuar aftësia për ta drejtuar mjetin. 6. Nëse në kontroll të jashtëzakonshëm shëndetësor konstatohet se shoferi është i aftë për ta drejtuar mjetin me veprim motorik, shpenzimet e kontrollit i mbulon subjekti i cili ka parashtruar kërkesë për kontroll të jashtëzakonshëm shëndetësor. 7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind e pesëdhjetë (150) eurosh, shoferi i mjetit i cili nuk i është nënshtruar ose refuzon t’i nënshtrohet kontrollit të jashtëzakonshëm shëndetësor. 8. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej treqind (300) euro euro, edhe personi juridik ose institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi i përcaktuar në paragrafin 7. të këtij neni.

Detyrimet e subjekteve shëndetësore

1. Nëse në kontroll shëndetësor konstatohet se shoferi nuk është i aftë që në mënyrë të sigurt ta drejtojë mjetin për të cilin i është lëshuar patenta e shoferit, subjekti shëndetësor është i detyruar që t’i lëshojë atij certifikatë shëndetësore, si dhe ta lajmërojë Ministrinë për punë të brendshme dhe Policinë brenda tetë (8) ditësh prej ditës së kontrollit. 2. Nëse me kontroll shëndetësor konstatohet se instruktori i shoferëve nuk është i aftë nga pikëpamja psikofizike për ta drejtuar mjetin, atëherë subjekti shëndetësor është i detyruar t’ia lëshojë atij certifikatën shëndetësore dhe t’i lajmërojë brenda tetë (8) ditësh Ministrinë përkatëse për punë të brendshme, Policinë, si dhe Ministrinë. 3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) eurosh, personi i cili lëshon certifikatë shëndetësore në kundërshtim me dispozitat e këtij neni. 4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej treqind (300) euro euro, edhe personi juridik ose institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi sipas paragrafit 3. të këtij neni.

Pneumatikët

1. Pneumatikët në bosht të njëjtë duhet të jenë të njëjtë, sipas llojit (verorë, dimrorë), sipas konstrukcionit (radialë, diagonalë dhe me rripa të kryqëzuar), sipas peshës bartëse dhe sipas dimensioneve. 2. Thellësia e sharave të pneumatikëve te automjetet e udhëtarëve nuk guxon të jetë më e vogël se një milimetër, ndërsa te automjetet transportuese, dy milimetra. 3. Pneumatikët dimërorë (M+S), të cilët i përkasin pajisjeve dimërore, duhet ta kenë së paku 4 mm thellësinë e sharave. 4. Ndalohet përdorimi i pneumatikëve me gozhda. 5. Gjendja jo e mirë fizike e gomave, presioni i pamjaftueshëm apo i lartë i ajit, ndikon në shpenzimin e pneumatikëve, në stabilitetin e mjetit dhe në shpenzimin e shtuar të karburanteve poashtu edhe në sigurë e trafikut.

Eko ngasja

1. Shpenzimet kryesisht varen nga mënyra e përdorimit të mjetit motorik dhe nga sjellja në lidhje me mirëmbajtjen e mjetit motorik, riparimin dhe mënyrën e ngasjes. 2. Mënyra e ngasjes dhe gjendja e rregullt e mjetit motorik ndikon në kursim nëse merren parasysh: 2.1 mirëmbajtja me kohë e mjetit motorik në gjendje të rregullt teknike, që sipas disa kërkimeve mund ta zvogëlojë harxhimin e karburantit deri në 10%, 2.2 me goma në gjendje të mirë dhe me shtypje përkatëse (gomat e dëmtuara dhe shtypja e pamjaftueshme në to mund ta rrisin harxhimin e karburantit deri në 5%), 2.3 ngasjen e kujdesshme pa shpejtim dhe frenim të vrullshëm duke e zgjedhur shkallën përkatëse të transmisionit, ngasja me numrin përkatës të rrotullimeve të motorit, ruajtja e shpejtësisë përafërsisht të njejtë (kurse ngasja me shpejtim dhe ngadalësim, andaj edhe vetë prodhuesit e deklarojnë harxhimin dhe shkakton amortizimin e mjetit motorik), 2.4 shpejtësia e madhe ndikon më së shumti në rritjen e harxhimit të karburantit, andaj edhe vetë prodhuesit deklarojnë harxhimin e karburantit në intervalet e caktuara të shpejtësisë. 3. Drejtimi i rregullt i mjetit motorik ndikon drejtpërdrejtë në ngasjen ekonomike dhe të sigurt. Ngasja në teposhtëze me motor të fikur ose "me heqjen nga shpejtësia" (ler) për të kursyer, rrezikon trafikun andaj edhe nuk është e lejuar. Motori në shpejtësi, pa gaz në teposhtëze reagon si ""fre motorik"" dhe ndihmon lëvizjen e sigurt të mjetit motorik.

Barra në mjetin motorik

1. Barra në anën e përparme të mjetit nuk guxon ta kalojë pikën më të largët më shumë se 1m. 2. Barra në mjetin motorik të udhëtarëve e cila në anen e pasme e kalon për më tepër se 1m pikën më të largët, shoferi është i detyruar të shënojë me pëlhurë të kuqe. 3. Barra që transportohet në mjetin transportues dhe në mjetin e bashkangjitur mund ta kalojë pikën më të largët në anën e pasme të mjetit më së shumti për 1/6 e gjatësisë së arkës, ndërsa në pjesën anësorë të kaloj skajin e jashtëm të dritës për shinimin e mjetit më së shumti për 40cm. 4. Barra në mjetin motorik nëse e kalon për më shumë se 1m pikën më të largët shënohët me tabelë katrore me madhësi 50x50cm e ngjyrosur me vija të tërthorta portokalli dhe ngjyrë të bardhë.

Rregulla tjera

1. Gjatë punimeve në rrugë, rregullimin e lëshimit me radhë të mjeteve mund ta bëjnë punëtorët e kontraktorit me flamur të kuq (ndalohet kalimi mjeteve në drejtim të të cilave tregohet flamuri) dhe flamur të gjelbërt (kalim i lirë për mjetet në drejtim të të cilëve tregohet flamuri). 2. Sistemet themelore te mjetet motorike dhe bashkangjitëse në trafik janë: 2.1 pajisjet për drejtimin e mjetit, - pajisjet për ndalje, 2.2 pajisjet për ndriçimin e rrugës dhe për dhënien e shenjave ndriçuese, 2.3 pajisjet që bëjnë të mundur dukshmërin normale, 2.4 pajisjet për dhënien e sinjaleve zërore, 2.5 pajisjet për lëvizjen e mjeteve prapa, 2.6 pajisjet për kontrollin dhe dhënien e shenjave, 2.7 pajisjet për përcjelljen dhe lëshimin e gazërave të liruara, 2.8 pajisjet për bashkangjitjen e mjetit tërheqës dhe bashkangjitës, 2.9 pajisjet tjera në mjet. 3. Sistemet e detyrueshme për frenim në mjet motorik janë: 3.1 freni punues - duhet të jetë i atillë, sa t'ia bëjë të mundur ngasësit që mjetin ta ndalë në mënyrë të sigurt, të shpejtë dhe efikase, pa marrë parasysh shpejtësinë e lëvizjes së mjetit, ngarkesën e mjetit dhe pjerrtësinë e rrugë, 3.2 freni ndihmës - duhet të jetë i realizuar asisoj sa t'ia bëjë të mundur ngasësit që ta frenojë mjetin, respektivisht ta ndalë në distancën përkatëse, nëse dështon freni aktiv, 3.3 freni parkues - nevojitet të jetë i tillë sa që me ndihmën e tij mjeti i parkuar në pozitë frenuese, mund të sigurohet me instalimin gjegjës mekanik. 4. Freni punues mund të jetë si: 4.1 Frena hidraulike - forca frenuese bëhet me anë të vajit dhe aplikohet te mjetet motorike të udhëtarëve, kamionet dhe autobusët, 4.2 Frena pneumatike - forma frenuese bëhet duke shfrytëzuar ajrin me presion dhe aplikohet te mjetet e rënda transportuese, riomorikot dhe autobusët. 5. Dallimi i forcës së frenimit në rrota të boshtit të njëjtë, nuk bën të jetë më i madh se 20%. 6. Sistemi ABS (ABS) Anti Block System - është sistem për frenim të sigurtë, pothuajse ideal, sepse nuk lejon bllokimin e rrotës me rastin e frenimit të shpejtë dhe të papritur, përkatësisht rrëshqitjes. 7. Sistemi ESP (ESP) Electronic Stability Program - funskionon në bazën e sistemit ABS, nëpërmes senzorëve pranon informatat dhe i përcjell trurit elektronik me të cilin i jep pompës së ABS dirigjime të sakta për frenim të kontrolluar. 8. Rruga që e kalon mjeti prej momentit kur ngasësi vëren rrezikun deri në momentin e ndaljes, quhet rruga e ndaljes. 9. Rruga që e kalon mjeti gjatë kohës së reagimit psikofizik të shoferit, quhet rruga e reagimit. 10. Rruga që e kalon mjeti nga fillimi i frenimit e deri te ndalja e plotë, quhet rruga e frenimit. 11. Rruga mesatare e reagimit të shoferit vlerësohet në 1 sekondë. 12. Largësia e mjetit në lëvizje mund të kontrollohet thjesht në pikëpamje kohore prej 2 sekondave. 13. Mbajtja e distancës së sigurisë mbrapa mjetit që lëvizni është sa gjysma e shpëjtësisë së lëvizjës. Shpejtësia e lëvizjes 80km/h distanca duhet të jetë 40m pas mjetit që lëvizni. 14. Faktorët të cilat ndikojnë në efikasitetin e frenimit: gjendja teknike e sitemit të frenimit, gjendja shëndetësore dhe psikike e shoferit, kushtet atmosferike të cilat mbretërojnë në momentin e caktuar, kualiteti i shtresës së rrugës, gjendja e gomave të mjetit motorik dhe shkalla e konsumimit të pllakave (ferodave) në sistemin e frenimit.