Si merret leja e shoferit në Kosovë? Procesi i plotë, hap pas hapi.

#Lajm

#Autoshkolla

Nëse po planifikon me e marrë lejen e shoferit për herë të parë, procesi në fillim mundet me t’u duk pak i komplikuar: autoshkolla, kontrolli mjekësor, ndihma e parë, provimi teorik, provimi praktik, pagesat dhe në fund aplikimi për leje.
Në këtë udhëzues po e shpjegojmë krejt procesin për kategorinë B në Kosovë, prej regjistrimit në autoshkollë deri te momenti kur aplikon për lejen tënde.


1. Zgjedhe autoshkollën dhe regjistrohu
Hapi i parë është regjistrimi në një autoshkollë të licencuar. Për kategorinë B, mosha minimale për t’iu nënshtruar provimit për lejen e shoferit është 18 vjeç.
Para se të shkosh për regjistrim, merre me vete letërnjoftimin valid dhe kontakto autoshkollën për ta konfirmuar listën e dokumenteve që kërkon për regjistrim, pasi procedurat administrative të vetë autoshkollave mund të dallojnë.

Po ashtu, para regjistrimit pyet për:
- çmimin total të trajnimit;
  • - mënyrën e pagesës;
  • - orarin e ligjëratave;
  • - instruktorin dhe terminet për vozitje;
  • - a trajnohesh me veturë manuale apo automatike;
  • - çka përfshihet dhe çka nuk përfshihet në çmim.

2. Bëje kontrollin mjekësor
Një prej hapave që duhet ta kryesh është kontrolli mjekësor për lejen e shoferit.
Ligji kërkon që kandidati për shofer ta kalojë ekzaminimin mjekësor. Për më tepër, para fillimit të orëve praktike, instruktori duhet ta verifikojë që kandidati e ka certifikatën mjekësore të vlefshme.
Prandaj, këtë pjesë është mirë ta përfundosh herët dhe jo ta lësh për momentin e fundit.
Autoshkolla zakonisht mund të të tregojë se ku mund ta kryesh kontrollin mjekësor për lejen e shoferit dhe cilat dokumente duhet t’i marrësh me vete.
Mos harro: kontrolli duhet të jetë specifik për aftësinë psikofizike për drejtimin e automjetit.

3. Kryeje trajnimin dhe provimin nga ndihma e parë
Pjesë e procesit është edhe ndihma e parë.
Sipas Ligjit për Lejen e Shoferit, aftësia dhe provimi nga ndihma e parë realizohen nga subjekti i autorizuar nga ministria përgjegjëse për transport, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Nëse autoshkolla të udhëzon që këtë pjesë ta kryesh te Kryqi i Kuq, ndiqi këta hapa:
- Informohu për terminin e trajnimit/provimit.
  1. - Kryeje pagesën sipas udhëzimeve që të jepen.
  2. - Shko në terminin e caktuar.
  3. - Kryeje trajnimin dhe provimin.
  4. - Ruaje dëshminë/certifikatën që e merr pas përfundimit.

Tarifa dhe mënyra konkrete e organizimit është mirë të konfirmohen direkt me subjektin ku e kryen ndihmën e parë, pasi nuk duhet të mbështetesh në çmime të vjetra që mund të gjenden online.

4. Përfundo ligjeratat teorike në autoshkollë
Tash fillon pjesa ku përgatitesh për rregullat e trafikut.
Për kategorinë B, ligji parasheh së paku 20 orë mësimore nga pjesa teorike.

Gjatë kësaj pjese mëson për:
- rregullat e trafikut;
  • - shenjat e komunikacionit;
  • - përparësinë e kalimit;
  • - sjelljen e shoferit në trafik;
  • - situatat e rrezikshme;
  • - sigurinë rrugore;
  • - pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion;
  • - elementet bazë të automjetit që lidhen me sigurinë.

Këto janë edhe ndër temat që ligji parasheh të përfshihen në provimin teorik.
Sistemi i ri i testimit teorik është në përdorim që nga 18 shkurt 2025.

5. Paraqite provimin teorik
Pasi i ke përfunduar ligjëratat teorike në autoshkollë dhe i ke dokumentet e nevojshme gati, hapi tjetër është paraqitja e provimit teorik.
Për paraqitjen e parë, duhet të shkosh fizikisht në Qendrën e Patent Shoferit të rajonit përkatës.

Departamenti i Patent Shoferit ka qendra rajonale në:
- Prishtinë
  • - Gjilan
  • - Ferizaj
  • - Prizren
  • - Pejë
  • - Mitrovicë
  • - Gjakovë

Nëse nuk je i sigurt se në cilën qendër duhet të paraqitesh, autoshkolla të udhëzon sipas rajonit ku je regjistruar.
Për shembull, kandidatët që i takojnë rajonit të Prishtinës paraqiten në Qendrën e Patent Shoferit në Prishtinë, te Stacioni i Autobusëve.

Çka duhet me marrë me vete?
Para se të shkosh për paraqitjen e provimit, duhet t'i marrësh nga autoshkolla dokumentet që t'i kanë përgatitur.
Me vete merre:
- letërnjoftimin;
  • - dokumentet që i merr nga autoshkolla;
  • - dokumentet tjera që kërkohen për dosjen e kandidatit.

Autoshkolla duhet të të tregojë saktësisht se cilat dokumente duhet t'i marrësh me vete para se të shkosh në Qendrën e Patent Shoferit.

Si shkon procedura?
Në përgjithësi, procedura është kjo:
- I merr dokumentet e nevojshme nga autoshkolla.
  1. - Shkon në Qendrën e Patent Shoferit të rajonit tënd.
  2. - E prezanton letërnjoftimin dhe i dorëzon dokumentet.
  3. - E merr fletëpagesën për provimin teorik.
  4. - E kryen pagesën sipas udhëzimeve, zakonisht në postë.
  5. - E dorëzon dëshminë e pagesës.
  6. - Pas përfundimit të procedurës, të caktohen data dhe ora e provimit teorik.
  7. - Në ditën e caktuar paraqitesh për test.

Pra, nëse je nga Prishtina shkon në Qendrën e Patent Shoferit në Prishtinë; nëse je nga Gjilani, në qendrën e Gjilanit; nëse je nga Ferizaj, në Ferizaj, e kështu me radhë sipas rajonit përkatës.

Po nëse nuk e kalon testin herën e parë?
Pasi e ke bërë paraqitjen fillestare dhe je regjistruar në sistem, nëse nuk e kalon provimin teorik herën e parë, paraqitjet e radhës mund t'i bësh online përmes eKosova, duke e kryer pagesën dhe procedurën për terminin e ardhshëm.

Pra, shkurt:
Herën e parë:
Autoshkolla → dokumentet → Qendra e Patent Shoferit e rajonit → pagesa → dorëzimi i pagesës → termini i testit.

Nëse duhet ta paraqesësh përsëri:
eKosova → pagesa → termini i ri → provimi.

6. Jep provimin teorik
Në datën e caktuar paraqitesh për provim.
Pjesa teorike e provimit mbahet në formë elektronike dhe teston njohuritë që të duhen për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt dhe të pavarur.
Këshilla më e mirë këtu është të mos mësosh vetëm përgjigjet përmendësh. Kupto rregullat, sepse të njëjtat do të të duhen menjëherë kur të fillosh vozitjen në trafik.

7. Përfundo orët praktike të vozitjes
Pjesa tjetër është vozitja me instruktor.
Për kategorinë B kërkohen së paku 20 orë praktike me instruktor të licencuar.

Gjatë këtyre orëve përgatitesh për situata reale si:
- nisja dhe ndalimi i sigurt;
  • - përdorimi i pasqyrave;
  • - ndërrimi i shiritave;
  • - udhëkryqet;
  • - rrethrrotullimet;
  • - parkimi;
  • - vozitja në trafik;
  • - respektimi i shenjave;
  • - reagimi ndaj këmbësorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë.

Gjatë orëve praktike duhet ta kesh dokumentacionin e kandidatit në rregull dhe certifikatën mjekësore të vlefshme.
Mos e shiko numrin 20 si objektivin kryesor. Nëse pas orëve minimale nuk ndihesh ende i sigurt në trafik, disa orë shtesë mund të bëjnë shumë diferencë.

8. Paraqite provimin praktik
Kur e ke përfunduar aftësimin dhe je gati për testim, duhet ta ndash terminin për provimin praktik.
Edhe ky shërbim figuron në eKosova si:
“Ndarja e terminit të provimit praktik për patentë shofer dhe pagesa e tarifës.”

Procedura është e ngjashme me provimin teorik:
- Hyn në eKosova.
  1. - Zgjedh shërbimin për provimin praktik.
  2. - Plotëson kërkesën.
  3. - Kryen pagesën sipas fletëpagesës/tarifës së gjeneruar.
  4. - Ndan terminin.
  5. - Paraqitesh në datën dhe vendin e caktuar.

9. Jep provimin praktik
Këtu duhet të tregosh se nuk i di rregullat vetëm në teori, por se mund t’i zbatosh ato gjatë vozitjes.
Provimi praktik vlerëson aftësinë për ta kontrolluar automjetin, sjelljen në trafik dhe vozitjen e sigurt e të pavarur. Organizimi dhe mbajtja e provimeve teorike dhe praktike është përgjegjësi e Departamentit të Patent Shoferit.
Mundohu të mos mendosh vetëm: “A po e kaloj testin?”

Mendo: “A po vozis në mënyrë të sigurt?”
Në fund, ky është qëllimi i krejt procesit.

10. E kalove? Tash apliko për lejen
Urime, pasi e kalon provimin për shofer, mbetet edhe një hap.
Për patentën e parë, aplikimi bëhet personalisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Për aplikimin e parë kërkohen:
- kopja e certifikatës së dhënies së provimit;
  • - letërnjoftimi valid i Republikës së Kosovës, prezantohet origjinali dhe dorëzohet kopja.

Sipas informacionit aktual të MPB-së, pagesa për pajisje me patentë shofer në procedurë të rregullt është 15 €, ndërsa procedura urgjente ka 50 € pagesë shtesë.

Pastaj mbetet vetëm ta marrësh lejen kur të jetë gati.

Artikujt

blog

10 gabimet më të shpeshta që bëjnë shoferët e rinj në Kosovë


11.09.2026 0

blog

Kryqi i Kuq për patentë-shofer në Kosovë: Pagesa, ligjërata, testi dhe lokacionet


21.07.2026 12312

blog

Si ta përgatisni veturën për udhëtimet verore


08.06.2026 9385

blog

Pas tentimit të 193, kalon testin e Autoshkollës


26.03.2021 1372

blog

Burri që dështoi 192 herë nga testi teorik i autoshkollës


26.03.2021 7373

blog

Më 15 Mars filloi ndërrimi i gomave të dimrit me ato të verës


17.03.2021 3452

Shiko me shumë